Inspektorati shtetëror i Arsimit ka konfirmuar marrjen e parave nga nxënësit në këmbim të dëftesave në dy shkolla të mesme të vendit. Në raportin e publikuar thuhet se në shkollën e mesme të mjekësisë “Nikolla Shtejn” në Tetovë është konstatuar se një pjesë e kujdestarëve të klasave këtë vit kanë mbledhur mjete financiare për plotësimin e dëftesave në formë elektronike, por siç thonë nga Inspektorati, paratë janë dhënë në bazë të vullnetit të prindërve. Gjithashtu, sipas Inspektoratit, parregullsi janë konstatuar edhe në shkollën e mesme “Mirçe Acev” në Prilep. Në këtë të fundit, një pjesë e kujdestarëve të viteve të katërta kanë mbledhur nga 30 denarë për plotësimin e dëftesave me kompjuter.
Nga gjendja e konstatuar në përputhje me Ligjin për inspektimin në arsim, shkollave të mesme “Nikolla Shtejn” në Tetovë dhe “Mirçe Acev” në Prilep u sugjerohet që mjetet financiare të mbledhura për plotësimin e dëftesave t’ua kthejnë nxënësve, dhe të njoftohet Inspektorati shtetëror i arsimit -thonë nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.
Inspektorati shtetëror i Arsimit ka kryer inspektime edhe në dy shkolla tjera të mesme, gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup dhe shkollën e mesme ekonomike “8 Shtatori” në Tetovë. Në këto dy shkolla, nuk janë konstatuar shkelje. Raporti i inspektoratit mbështetet në deklaratat e dhëna gojarisht dhe më shkrim nga nxënësit, kujdestarët e klasave, drejtorët dhe këshillat e prindërve.
Në shkollat e mesme “Zef Lush Marku” Shkup dhe “8 Shtatori” Tetovë asnjë nxënës nuk është ankuar se i janë kërkuar para për dëftesat. Gjithashtu, edhe drejtorët dhe kujdestarët e klasave deklarojnë se për vitin shkollor 2020/21, nuk kanë kërkuar dhe nuk kanë pranuar mjete financiare nga ana e nxënësve, për plotësimin elektronik të dëftesave dhe diplomave – shprehen nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.
Inspektimet në shkolla erdhën pas ankesave nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme, sipas të cilëve nxënësit janë detyruar të paguajnë shuma të ndryshme parash për plotësimin e dëftesave me kompjuter.
Për këtë problematikë ka reaguar edhe Avokati i Popullit i cili ka konstatuar se edhe këtë vit vazhdon praktika e disa shkollave të kërkojnë para nga nxënësit për dhënien e dëftesave.
Alsat