Përqafimet me lopët janë cilësuar si një mënyrë e re relaksi përgjatë pandemisë, dhe amerikanët kanë paguar deri në 75 dollarë në orë për një seancë përqafimi me kafshët e fermës.
Fermat, në thuajse të gjithë Amerikën, po ofrojnë këtë shërbim dhe po raportojnë kërkesa të mëdha duke thënë se njerëzit ndihen shumë të vetmuar, pas një viti ku kanë mbajtur distancë sociale pa pasur mundësi të përqafojnë të afërmit e tyre.
“Ju nuk mund t’i përqafoni miqtë tuaj, ju nuk mund të përqafoni nipërit tuaj. Në këtë pikë, kjo është një zgjidhje”, shprehet Suzanne Vullers, e cila zotëron Farm Horse Mountain në Nju- Jork, për Washington Post për seancat e përqafimit.
Vullers dhe burri i saj ofrojnë përkëdhelje me lopët çdo vit midis majit dhe tetorit, por pandemia ka rritur ndjeshëm kërkesat. Sipas tyre, përqafimi i lopës ose ledhatimi i tyre mund të jetë “tepër qetësues”, sepse lopët janë të mëdha dhe të ngrohta dhe kanë një rrahje zemre më të ngadaltë, ndaj dhe rritja e oksitocinës që shkaktohet mund të zvogëlojë edhe stresin.
“Përqafimi i lopës besohet se nxit pozitivitetin dhe zvogëlon stresin duke rritur oksitocinën te njerëzit. Efektet qetësuese të përqafimit me një kafshë shtëpiake, me sa duket, theksohen kur njerëzit përqafohen me gjitarë më të mëdhenj”, raporton ajo duke theksuar se vizitat janë kryesisht nga persona që jetojnë në zona urbane.
Vullers shton se vizitorët shpesh bëhen emocionalë, veçanërisht pasi lopët shtrihen anash dhe vendosin kokën në prehër dhe se disa prej tyre pasi janë takuar me to janë kthyer në vegjetarianë.