Shkruan: Teuta Buçi
Nëna nuk është sakrifica për të mos ngrënë pjesën e vet të tortës kur nuk ka mjaftueshëm për të gjithë. Nëna nuk është një klishe, një shabllon, një qenie e zakonshme. Ajo është mbetja e thërrimeve në kanistër, kur ka mbaruar buka dhe ti mendon se ajo është e zbrazët. Është sasia e mjaftueshme dhe precize e sheqerit në kafe, që i jep shijen e memorizuar asaj. Është mëngjesi që të pret në tavolinë kur ti je zgjuar vonë dhe duhet të shpejtosh.
Është ombrella që shfaqet papritmas në çantë, kur fillon të bie shi e ti ke një takim të rëndësishëm. Është shija unike që i jep gjellës së zakonshme, që ti e han gjithkund, por nuk të shijon askund tjetër njëlloj.
Është nënkresa që të heq lodhjen pas një dite të gjatë. Energjia e një agimi të ri, pas një nate të errët. Është dora që zgjatet drejt teje për të ngritur lartë, kur ti je i shtrirë në tokë e ke filluar të mbulohesh me gurë.
Është personi që çdoherë ka besim te ti, që nga ditët e tua të para në këtë botë. Që në përpjekjet e para për të hedhur hapat e parë. Ajo sheh te ti atë që të tjerët nuk e shohin, e ndjen atë që të tjerët nuk e ndjejnë. Edhe kur gjithë bota e mendojnë të kundërtën, ajo zgjedh ti beson instiktit të saj të brendshëm. Ajo e di se do t’ia dalësh.
Ajo do të mësojë të besosh në veten, edhe kur askush tjetër nuk beson në ty. Të ecësh në rrugën që ke zgjedhur, edhe kur ajo përcillet me vështirësi, barriera e paragjykime. Ajo do të mësojë të jesh i drejtë, në një botë të padrejtë. Të flasësh të vërtetën, në një botë të mbushur me mashtrime. Të luftosh për atë që beson, edhe atëherë kur ti je e vetme dhe ke përballë armiq të rrezikshëm. Të mos nënshtrohesh e të mos biesh në grackë.
Ajo do të mësojë fillimisht të jesh një njëri i mirë dhe pastaj pasi të jesh rritur të hedh në një botë jo aq të mirë, me të cilin ti nuk je i përgatitur të përballesh. Dhe ky është momenti kur ajo fillon të të sfidojë, nëse mund të zbatosh në praktikë atë që të ka mësuar në jetë, dhe t’i nënshtrohesh provimit nëse je rritur mjaftueshëm për të qenë e fortë dhe për t’u përballur jashtë duke ruajtur të paprekura vlerat që t’i ka mësuar gjatë rrugëtimit që keni bërë bashkë.
Nëse ia del, ajo do të jetë krenare me ty. Nëse pëson disfatë, ajo sërish do të jetë krenare me ty. Sepse, ajo është gjithnjë krenare me ty, pavarësisht nëse ke diplomë ose jo, nëse ke tituj ose jo, nëse je një akademik, mjek, inxhinier apo një qytetar i rëndomtë. Asaj i mjafton vetëm ekzistenca e qenies tënde që të jetë krenare. Prandaj do të mburret me ty edhe kur nuk je më i suksesshmi, kur ke pësuar dështime e nuk të ecën në jetë. Ajo do ta lëshojë dorën dhe do të lë të hapërosh vetëm, por do të qëndrojë pas teje për të mos lejuar që ti të biesh në shpinë dhe për të pëshpëritur në vesh se nuk duhet të dorëzohesh. Ajo do të jetë aty, në autobusin e zbrazët kur kthehesh vonë, e në rrugën e errët e të frikshme që bën nga stacioni për në shtëpi. Ajo do të jetë vizitori i vetëm i sallës së teatrit ku ti interpreton një shfaqje, do të jetë ndjekësi i vetëm i rrugës tënde, kur të gjithë të kanë braktisur. Ajo do të jetë aty për të të inkurajuar të vazhdosh përpjekjet edhe kur kjo nuk është fare e lehtë. Dhe këtë ajo e kupton ndoshta më mirë se ti. Pasi ajo është lexuesja e zemrës dhe dhimbjes tënde, pa qenë nevoja që ju të dy të flisni për këtë. Ajo do ta kuptojë kur ti ke shqetësime, pasiguri e brenga dhe do të ndjehet keq që nuk mund ta largojë barrën, por gjithçka që mund të bëjë është që ta ofron kokën tënde në kraharorin e saj. E çuditërisht ti e kupton se kjo është e vetmja gjë për të cilën ti ke pasur nevojë që të lehtësohet barra. Është momenti i vetëm kur ty të pëlqen të ndjehesh ende fëmijë. E para saj ti gjithnjë do të mbesësh një fëmijë që ka nevojë për përkrahjen e saj, për heroinën e jetës tënde.