Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme (UNShM) ka “sfiduar” Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës duke i dhënë dhjetë argumente për atë se pse këtë vit është e nevojshme që të ketë lehtësime në mbajtjen e provimeve të maturës shtetërore. Në përgatitje e sipër janë propozim ndryshimet ligjore me kërkesat e UNShM-së, deri tani përkrahje kanë marrë nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni ASh-AA, shkruan Portalb.mk.
Një numër i madh u maturantëve në vend javët e fundit ka bojkotuar mësimin përmes internetit, kjo për shkak se dy kërkesat e tyre në lidhje me maturën shtetërore nuk janë pranuar nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska.
Ndërkaq sot, përmes dhjetë argumenteve për atë se pse duhet pranuar kërkesat e maturantëve, nga UNShM-ja kanë sfiduar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, kështu shkruajnë ata:
“Po pse po e kërkojmë? Ja arsyet e mëposhtme pse duhet ta bëjmë Maturën më të lehtë për këtë gjeneratë maturantësh të afektuar nga kriza me COVID-19:
- Për shkak të mbylljes së shkollave që nga marsi i vitit 2020, leksionet që i kemi mbajtur online nuk kanë qenë aq efektive dhe cilësore sa vitet e mëparshme.
- Kemi precedentë ndërkombëtarë si Franca që i kanë ulur lëndët për maturën shtetërore në vetëm një zgjedhje. Ne respektojmë Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, kështu që kemi përfshirë lëndët zgjedhore dhe gjuhën amtare.
- Vitin e kaluar, institucionet arsimore anuluan provimet e Maturës Shtetërore edhe pse ata ishin online vetëm gjysmë viti, ndërsa këtë vit, gjenerata e maturantëve janë të detyruar ta realizojnë atë edhe pse po bëjmë një vit e gjysmë që kur nuk jemi kthyer ne shkolla fizikisht.
- Mungesa e socializimit në jetën reale midis shkollarëve të mesëm ka problematizuar dhe amplifikuar çështjet e shëndetit mendor dhe motivimin për të mësuar, ose përfunduar ndonjë detyrë tjetër për atë çështje – kështu duke ulur më tej efekasitetin e mësimit në distancë. Për t’i shtuar kësaj, presioni i pajustifikuar, antikushtetues dhe i paligjshëm që ushtrohet mbi maturantët nga njerëz në pozita pushteti, mund të ndikojë përgjithmonë në shëndetin mendor të maturantëve duke futur trauma të mundshme dhe duke shkaktuar frikë.
- Arsyeja pse 14.000 maturantë kanë paraqitur provimet e maturës shtetërore është sepse ne respektojmë ligjin, kushtetutën dhe institucionet tona. Kjo është arsyeja pse me ligj, ashtu si në vitet e mëparshme, u kërkua nga maturantët të paraqesin provimet për maturën shtetërore më së fundmi deri në 31 Dhjetor 2020.
- Për një lëndë që normalisht do ta kishim 5 herë në javë, me 45 minuta në klasë, për shkak të orëve dhe kurrikulave të shkurtuara do të thotë se tani kemi 50 minuta më pak nga ajo lëndë në javë sesa normalja. Ju nuk mund të prisni që ne të dimë dhe mësojmë të njëjtën material si në rrethana normale, ndërsa kufizoni burimet tona përtej arsyes!
- Ka akoma profesorë dhe mësimdhënës të cilët, për shkak të moshës së vjetër (ndër arsyet e tjera), po hasin sfida dhe probleme me mbajten e orëve pasi të kuptuarit e tyre për teknologjinë është i kufizuar, prandaj edhe kufizon sasinë e informacionit që një nxënës mund të marrë nga ajo klasë.
- Një studim i bërë nga Journal of Lancet Psychiatry zbuloi se nivelet e depresionit janë ngritur në qiell globalisht gjatë lockdownit të covid-19, duke i bërë nxënësit dhe të rinjtë më të ndjeshëm ndaj barrierave të të mësimnxënies të shkaktuar nga stresi dhe duke krijuar një mjedis ku shumë nuk janë në gjendje të performojnë suksesshëm akademikisht.
- ECEPAA dhe – Instituti i Statistikave pranë UNESCO-s tregojnë se shumë nxënës janë në një situatë të pafavorshme kur bëhet fjalë për mësimin nga distanca, me 826 milion nxënës në të gjithë botën madje që nuk kanë qasje në një kompjuter shtëpiak. Kjo mund të jetë e vërtetë për shumë nxënës që gjenden në një situatë të pafavorshme në Maqedoninë e Veriut, dhe mund të mitigojnë aftësinë e tyre për të mësuar në mënyrë efikase materialet shkollore.
- ECEPAA gjithashtu thekson se të mësuarit online paraqet çështje problematike të privatësisë për nxënësit. Shumë nxënës nuk kanë dhomën e tyre ose janë të detyruar të ndjekin klasën në internet me prindërit, vëllezërit e motrat ose anëtarët e familjes në sfondin e mësimeve të tyre. Kjo e bën më pak të mundshme që ata të marrin pjesë dhe të mbajnë në mënyrë efikase informacionin gjatë mësimeve të tyre” kumtuan nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme.
VMRO-DPMNE dhe koalicioni Aleanca për Shqiptarët (ASh) dhe Alternativa (AA) kanë pranuar kërkesat e UNShM-së.
Dy ditë më herët, kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme realizoi takim me grupin parlamentar të VMRO DPMNE-së, nga ku, janë dakorduar për organizimin e një debati publik për përgatitjen e ndryshimeve në ligjin për Arsimin e Mesëm.
“Delegacioni ynë sot mbajti një takim me disa deputetë nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së. Në takim, ata riafirmuan mbështetjen e tyre për kërkesat tona. Ne u informuam se ata do të nisin iniciativë për të organizuar një Debat publik të hënën dhe për të përgatitur propozim ndryshimet ligjore me kërkesat tona” informuan nga UNShM-ja.
Ndërkaq sot nga kjo organizatë kanë zhvilluar takim me deputetë të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, nga ku pas takimit deputeti Halil Snopçe potencoi se do të mbështesin kërkesat e UNShM-së pa asnjë dyshim.
“Ne si koalicion Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa deklarojmë publikisht se i mbështesim kërkesat e UNShM-së dhe maturantëve. Këta të fundit kanë ofruar një kompromis sipas modelit të Francës, dhe besojmë se këto kërkesa janë shumë korrektë në kushte të jashtëzakonshme në të cilin zhvillohet aktualisht procesi mësimor” deklaroi sot Halil Snopçe, deputet i Aleancës për Shqiptarët (ASh).
Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës disa herë e ka theksuar detyrimin ligjor për të organizuar maturën për ata nxënës, të cilët planifikojnë të vazhdojnë arsimin e tyre, sepse është kusht për regjistrim në universitete brenda dhe jashtë vendit.
“Nuk ka arsye për të ndryshuar maturën sepse mbi 14 mijë maturantë, përafërsisht aq sa ka në vend, i kanë regjistruar me rregull provimet e maturës që do të mbahen sipas konceptit të vendosur në fillim të këtij viti shkollor,” deklaruan nga MASH. Më herët, Ministrja e arsimit dhe shkencës, Milla Carovska njoftoi se për model të ri të maturës do të diskutohet nga viti i ardhshëm shkollor. /Portalb