CAROVSKA: MATURANTËT T`I KTHEHEN MËSIMIT

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës mohoi të ketë bojkotim nga 70 përqind e nxënësve të shkollave të mesme dhe maturantëve, ajo tha se në mëngjes ka realizuar takim me të gjithë drejtorët e shkollave të mesme dhe se bëhet fjalë për vetëm një pjesë të nxënësve që e bojkotojnë mësimin. Ministrja Milla Carovska tha se matura shtetëore është e drejtë zgjedhjeje dhe secili nxënës që dëshiron ta vazhdojë arsimin do të duhet t’i nënshtrohet maturës shtetërore sipas rendit juridik. Ata që nuk duan të vazhdojnë arsimin e lartë do të kenë mundësi për testim në maturën shkollore, ku në pajtueshmëri me konceptin e maturës, testohen në dy lëndë dhe një detyrë projektuese.

Matura shtetërore është e drejtë zgjedhjeje dhe secili nxënës që dëshiron ta vazhdojë arsimin e lartë do të duhet t’i nënshtrohet asaj sipas rendit juridik. Kështu ka deklaruar numri një i MASH, Milla Carovska e cila nënvizoi se sipas konceptit të maturës, ekziston mundësi për testim në maturë shkollore ose testim përfundimtar dhe aty parashihen vetëm dy lëndë, një e detyrueshme, një zgjedhore dhe një detyrë projektuese. Carovska mohoi të ketë bojkotim të mësimit nga 70 përqind e nxënësve të shkollave të mesme, tha se bëhet fjalë për raste të izoluara.

MILA CAROVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS

“Në mengjes kisha takim me të gjithë drejtorët e shkollave të mesme, nuk ka bojkotim të 70 përqind të nxënësve, ata janë një pjesë e nxënësve, por është e rëndësishme se detyrimi ynë si ministri e arsimit dhe shkencës poashtu edhe I komunave që menaxhojnë në mënyrë direkte me shkollat, është që të sigurojmë që nxënësit që duan të testohen në maturën shtetërore, nxënësit që nuk duan të testohen në maturën shtetërore, kanë mundësi në pajtueshmëri me konceptin e maturës, të testohen në maturën shkollore, pikërisht aty ka dy lëndë dhe detyrë projektuese, ose nëse është shkollë profesionale kanë mundësi të testohen në testim profesional, njësoj janë dy, njëra është lëndë e obligueshme, tjetra zgjedhore dhe detyra projektuese.”

Por nënvizoi se nxënësit që duan të vazhdojnë arsimin e tyre në institucionet e arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit, do të kenë mundësinë që ta realizojnë të drejtën e mbajtjes së maturës shtetërore.

MILA CAROVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS

“Është e rëndësishme ta lexojnë edhe konceptin edhe ligjin e nxënësve dhe të vendosin se si do të testohen këtë vit. Për këtë them matura shtetërore është zgjedhje, ndërsa detyrimi ynë është të sigurojmë mbajtjen e maturës shtetërore, veçanërisht për ata nxënës që duan ta vazhdojnë arsimin e tyre në institucionet e arsimit të lartë në shtetin tonë dhe jashtë vendit. Vitin e kaluar ishim përjashtim negative në rajon dhe botë, dhe disa nxënës tanë nuk arritën të regjistrohen në universitete të ranguara lartë nëpër botë.”

Nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme gjatë ditës së djeshme njoftuan se po bëhet bojkotim i mësimit nga rreth 70 përqind të nxënësve të shkollave të mesme si dhe se pikërisht për këtë çështje maturantët po përballen me presione dhe kërcënime nga drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit. Një prej kërkesave është matura shtetërore të ketë provime në dy lëndë, sipas shembullit të Francës, me çka lëndë e parë e detyrueshme të jetë gjuha amtare, ndërsa e dyta, të jetë sipas zgjedhjes së nxënësit, varësisht planeve dhe interesave të tij për arsimin e mëtejshëm. /KlanMacedonia