Më shumë para në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Ministrja Carovska konfirmoi se këtë vit buxheti është më i madh për 1,1 miliard denarë. A do të zgjidhen problemet nëpër shkollat me 23 miliardë dhe 100 milionë denarë, para që i ka në dispozitë MASH-i. Pjesa më e madhe e parave do të drejtohen drejtpërsëdrejti kah qytetarët.
“Ndajmë rreth një miliard denarë për investime kapitale, dy herë e gjysmë më shumë se sa në vitin e kaluar. Me këto mjete do të mundësojmë proces më cilësor arsimor për rreth 100 mijë nxënës, studentë dhe mësimdhënës. Do të rikonstruojmë shkolla fillore dhe të mesme. Shkollat duhet të jenë të qasshme për të gjithë”, deklaroi, Milla Carovska, ministre e Arsimit.
E tillë është dëshira dhe plani i njeriut të parë të kësaj ministrie. Por imazhi në terren tregon diçka tjetër. Në kronikën e TV21 që u incizua para pak kohe në lidhje me gjendjen nëpër shkollat në Leshnicë- Zhelinë, ku edhe prindërit edhe mësimdhënësit reaguan se objekti është shumë i vjetër dhe nuk ka kushte për zhvillim të procesit arsimor.
“Siç mund të shihni, shkolla është unike dhe i vetmi objekt që ka mbetur nga sistemi i komunizmit, para shumë vitesh Inspektorati bëri procesverbal dhe për shkak të azbestit i cili është material i rrezikshëm, shkolla u mbyll. Ne si shkollë, unë si drejtor, së bashku me sekretarin u përpoqëm t’ia ofrojmë shkollës atë që mundemi, i kemi lyer hapësirat e shkollës të cilat nuk ishin lyer me vite të tëra dhe për shkak të pandemisë, e kemi bërë këtë gjë”, tha Zeqir Memeti, drejtor i shkollës.
“Ministria e arsimit dhe shkencës punon me përkushtim për përmirësim të kushteve në shkollat fillore dhe ato të mesmet në shtet. Për këtë qëllim, në vijim po zhvillohet thirrje publike nga ana e MASH-it deri te të gjitha komunat që të aplikojnë për mjete për projekte për rikonstruim të objekteve. Thirrja është e hapur deri më 15 dhjetor dhe i thërrasim të gjitha vetëqeverisjet lokale që të aplikojnë me projekte cilësore. Në interes të arsimit inkluziv, për herë të parë njëri prej kritereve themelore të këtij konkursi për investimet kapitale, është qasshmëria e objekteve.”
Nuk ka ndryshim të datës për pushim dimëror, siç kërkoi opozita. Ministrja Carovska tha se është e gatshme për diskutim por vetëm nëse ky diskutim ofron argumente.
“Procesi dhe sistemi arsimor janë mbipartiakë, gjithmonë jam e gatshme për diskutim me opozitën dhe me të gjithë ata që kanë qëndrim të ndryshim, por vetëm nëse bazohen në argumente të caktuara. Argumente të tilla unë nuk mora prej opozitës”, Milla Carovska, ministre e Arsimit.
Sipas Carovskës pushimi dimëror i shkollave do të fillojë në fund të dhjetorit ndërsa gjysmë vjetori fillon më 21 janar 2021.
Burimi: TV21