Deri në 350 euro arrin çmimi që studentët e huaj paguajnë në Tetovë për banesa private, kjo për shkak të mungesës së një konvikti studentor nga ana e Universitetit të Tetovës, studentja B,A ankohet se e ka problem të gjejë bashkëbanuese ndërkaq nuk ka para që banesën ta paguaje vetë. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës na thanë se shtëpia studentore në Tetovë është kah përfundimi, objekti do të ketë 305 shtretër, shkruan Portalb.mk.
Një studente e Universitetit të Tetovës detyrohet për një dokument të thjeshtë të udhëtojë nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, për shkak se e njëjta e ka pasur problem të gjejë dikë me të cilën do ta ndante dhomën, sepse çmimi për të banuar vetë, është shumë i shtrenjtë.
“Kam kërkuar edhe online edhe fizikisht kur arrita në Universitet, edhe ata nguronin edhe unë nguroja, është problem të pyesësh dikë se a do të jetojë me ty, thjesht nuk munda të gjejë një cimere, konvikt studentor në Universitetin e Tetovës nuk kishte, tash detyrohem të udhëtojë për një dokument të vogël”, tha ajo.
Ajo theksoi se çmimet për banim nuk janë shumë të shtrenjta në momentin që ke bashkëbanuese, por jo gjithmonë dëshiron të ndash dhomën me 3 persona tjerë si dhe nuk është e lehtë t’i gjesh të njëjtat.
“Jo, çmimi është i shtrenjte në qoftë se jeni dy apo je vet, mirëpo jo gjithkush ka mundësi të jetojë me vetëm 1 bashkëbanuese apo të gjeje 3 të tjera. Varet, çmimet arrin deri në 350 euro”, shtoi studentja e Universitetit të Tetovës, B.A.
Kur do të ketë Tetova shtëpi studentore?
Të kontaktuar nga Portalb.mk, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës informuan se projekti po realizohet me dinamikën e paraparë, që i bie se i njëjti duhet të përfundojë në maj/qershor të vitit të ardhshëm.
“Ndërtimi i shtëpisë studentore në Tetovë është investim me vlerë prej 166,5 milion denarëve dhe i njëjti realizohet më përputhje me dinamikën e paraparë. Me projektin e përgatitur nga Universiteti i Tetovës, objekti do të ketë 305 krevat” thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Përveç dhomave të fjetjes, në këtë shtëpi studentore është parapa të ketë edhe dhomë teknologjike, leximore, sallë ku studentët do të mund të ushtrojnë fitness, hapësirë për meze, etj.
Portalb.mk, e vizitoi gjendjen konviktin për të parë gjendjen momentale dhe kështu dukej ky konvikt sot:
Premtohet nga viti 2016
Në të njëjtën ditë kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i konviktit studentor në Tetovë, bëhet fjalë për vitin 2016, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.
Kujtojmë se ministër i Arsimit dhe Shkencës në atë kohë ishte tashmë i ndjeri, Abdylaqim Ademi.
Megjithatë, përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u morr në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill të këtij viti.
Ndryshe, jozyrtarisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës na thanë se ky objekt pritet të përfundoje në maj ose qershor të vitit të ardhshëm, andaj studentët do të mund të vendosen në këtë konvikt nga viti i ardhshëm akademik.