Edhe pse Komuna e Tetovës ka vendosur bllokada në trotuarin rreth shkollës fillore “Kirili dhe Metodi”, ato nuk përfshijnë gjithë rrugët. Për të mbërritur në këtë shkollë, nxënësit sërish duhet të ecin në rrugë. Kujtojmë se nga Komuna e Tetovës premtuan zgjidhjen e këtij problemi, shkruan Portalb.mk.
Portalb.mk ka inspektuar gjendjen infrastrukturore rreth shkollave fillore të Komunës së Tetovës. Rruga e lagjjes “Bllok 82” që është vetëm 100 metra larg shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” është në gjendje të keqe, me asfalt të prishur ndërkaq kundërmon aromë mbeturinash për shkak të kontejnerëve të vjetër.
Kjo është lagjja ku nxënësit e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” kalojnë çdo ditë për të arritur në institucionin arsimor.
Komuna e Tetovës ka vendosur bllokada të cilat bllokojnë veturat nga parkimi në trotuar, megjithatë ata janë vendosur vetëm nga njëra anë e rrugës.
Portalb vërejti se në një pjesë të rrugës ku nxënësit kalojnë çdo ditë, kishte vetura të parkuara.
Kujtojmë se nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk premtuan se do të rregullojnë këtë problem, gjegjësisht do të vendosin bllokada që nuk do lejojnë parkimin e veturave në trotuaret ku nxënësit filloristë kalojnë çdo ditë.
“Në disa prej shkollave fillore kemi vendosur bllokada që ndalojnë parkimin e veturave në trotuare, javën e kaluar i vendosëm te shkolla fillore “Kirili dhe Metodi”,” thanë nga Komuna e Tetovës.
Ndërkaq nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) na informuan se tre vitet e fundit ka pasur rritje të butë të numrit të këmbësorëve të cilët janë lënduar nga automjetet, bëhet fjalë për gjithsej 308 këmbësorë për 4 vite.
- 2017 – dy viktima, 67 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 18 këmbësorë me lëndime të rënda trupore.
- 2018 – një viktimë, 72 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 18 këmbësorë me lëndime të rënda trupore.
- 2019 – dy viktima, 74 këmbësorë me lëndime të lehta trupore, 16 këmbësorë me lëndime të rënda trupore.