Prindërit janë faktor vendimtar për kapërcimin e abuzimeve në onlajn mësimin, thonë nga MASH

Abuzimi i mësimdhënies në internet nga nxënësit është një nga problemet me të cilat përballet modeli i mësimdhënies në distancë, me të cilin filloi mësimi në shumicën e shkollave në vend. Nxënësit ndanë në mënyrë anonime përvojat e tyre të onlajn mësimdhënies, kështu që ka shembuj evident të abuzimeve të ndryshme, nga gjumi dhe luajtja e lojërave gjatë orës së mësimit, deri në ndjekjen e orëve nga vende të ndryshme jashtë shtëpisë, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Abuzime të tilla nuk ka kudo, por atje ku ka, shkollat ​​i zgjidhin ato në koordinim me shërbimet profesionale të shkollës dhe Ministrinë e arsimit. Nga MASH thonë se situata me abuzimet e onlajn mësimdhënies është e vështirë për të gjithë dhe kërkon ndërgjegje më të lartë, mirëkuptim dhe mbështetje të ndërsjellë, duke shtuar se në fund të vitit shkollor, secili nxënës do të marrë atë që e meriton. Ata thonë se modeli i mësimdhënies në distancë nuk është i përsosur, por është përmirësuar ndjeshëm që nga fillimi i përdorimit e deri më sot.

“Është fakt që nuk ekziston sistem i përsosur arsimor dhe se dikush gjithmonë do të përpiqet ta tejkalojë atë, për të anashkaluar rregullat e pashkruara dhe rregulloret ligjore si dhe dispozitat ligjore dhe ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm e në këtë rast, Planin për organizimin e vitit shkollor 2020-2021, Manualët për kontrollin e njohurive të nxënësve dhe të ngjashme. Megjithatë, duhet të jetë e qartë se thelbi i arsimit është përvetësimi i njohurive dhe vlerësimi i duhur i atyre njohurive përmes kontrolleve, testeve, vlerësimeve dhe mbajtjes së shënimeve pedagogjike për të cilat ekzistojnë mekanizma për aplikim në mësimin në distancë. Ashtu që, në fund të vitit shkollor, secili të merr atë që meriton dhe atë që është evidentuar nga mësimdhënësi”, thonë nga Ministria e arsimit.

Simulimi i një orës mësimit përmes platformës për mësim në distancë (nga 18.09.2020) / Foto: Facebook nga Milla Carovska

Ata thonë se për zbatim të suksesshëm të mësimdhënies në distancë është me rëndësi të veçantë që përgjegjësia të ngrihet në nivelin më të lartë te të gjithë pjesëmarrësit në proces – kryetarët e komunave, drejtorët e shkollave, mësimdhënësit, nxënësit, prindërit / kujdestarët.

Në pyetjen se çfarë autorizime kanë mësimdhënësit gjatë onlajn mësimdhënies dhe kush është përgjegjës për të reaguar në rast abuzimi, nga MASH i referohet Kodit për sjellje të nxënësve gjatë mësimit, i cili duhet t’i përshtatet modelit të ri, të onlajn mësimit.

“Çdo shkollë ka Kod të sjelljeje të nxënësve gjatë orëve të mësimdhënies. Ai dokument ka të bëjë me aktivitetet që i ndërmerr drejtori i shkollës, Këshilli i klasave dhe kujdestari i klasës, në kushte kur nuk respektohen rregullat dhe rendi i mësimdhënies. Në bazë të veprimeve të tilla, në mënyrë përkatëse propozohen sanksione dhe veprime të caktuara ndaj nxënësve, të cilët me sjelljen e tyre ndikojnë në cilësinë e mësimdhënies e punës dhe jo vetëm të mësimdhënësve, por edhe të nxënësve të tjerë. Të njëjtat kode duhet t’i përshtaten situatës së re dhe të mbulojnë këtë lloj sjelljeje”, thonë nga MASH.

Ata shtojnë se çdo mësimdhënës ka integritet personal dhe mjete pedagogjike për qasje tek nxënësit e tillë dhe mësimdhënësi është drejtpërdrejt përgjegjës për mënyrën e veprimit dhe format e komunikimit me nxënësit në situata të tilla. Por ata thonë se rolin më të madh në tejkalimin e kësaj situate e kanë prindërit.

“Çdo mësimdhënës, kujdestar i klasës duhet të reagojë në mënyrë aktive ndaj rasteve të tilla dhe të flasë me prindërit në kohën e duhur, të cilët janë faktori vendimtar në tejkalimin e kësaj situate – përmes takimeve individuale ose në formën e takimeve të prindërve që do të ndihmojnë në kapërcimin e këtyre problemeve”, shtojnë nga ministria.

Nga bisedat me drejtorët e disa shkollave të mesme në vend, mund të vërehet se në rast abuzimi me mësimdhënien, secila shkollë vepron në përputhje me llojin dhe seriozitetin e abuzimit.

Drejtoresha e shkollës së mesme “Jane Sandanski” në Shtip, Maja Giçeva, thotë se ka marrë ankesa nga arsimtarët, por që në këtë shkollë mjekësore numri i nxënësve të cilët nuk kanë sjellje shembullore gjatë onlajn mësimit është minimal.

“Përqindja e nxënësve që abuzojnë me mësimdhënien është shumë e vogël, rreth 10 për qind, shumica e nxënësve janë të kënaqur dhe vijojnë rregullisht mësimet. Nga ankesat e mësimdhënësve, ka abuzime të tilla si nxënësit hyjnë në platformë vetëm që të shihet se janë të përfshirë dhe të pranishëm dhe më pas flenë. Ata gjithashtu mund të thonë arsyetime të tilla si: mikrofoni im, kamera nuk funksionojnë, nëse mësimdhënësi u kërkon t’i sheh dhe të ngjashme”, thotë Giçeva

Ajo shton se të njëjtat masa pedagogjike zbatohen për onlajn mësimin ashtu edhe për atë me prani fizike.

“Në bisedë me shërbimet e shkollës, kemi vendosur në rast abuzimi të kontaktojmë prindërit individualisht dhe t’u shpjegojmë atyre situatën që megjithëse është onlajn mësimdhënie, ajo duhet të përcillet rregullisht, sepse respektimi jo përkatës dhe jo i rregullt i onlajn mësimdhënies do të shkaktojë dhe kontribuojë për aplikim të masave pedagogjike. Mësimdhënësit duhet t’i shënojnë vërejtjet ashtu që prindi / kujdestari të kontaktohet në mënyrë që ne të veprojmë në përputhje me rrethanat dhe udhëzimeve. Të njëjtat masa pedagogjike që zbatohen për praninë fizike janë analoge edhe për ndjekjen e onlajn mësimit”, shtoi Giçeva.

Shkolla e mesme "Jane Sandanski" - Shtip / foto: ueb-faqja e shkollës
Shkolla e mesme “Jane Sandanski” – Shtip / foto: ueb-faqja e shkollës

Nga shkolla e mesme “Niko Nestor” në Strugë, thonë se deri më tani nuk është vërejtur asnjë abuzim në këtë shkollë dhe se në fillim të vitit shkollor nxënësve u është dhënë një Protokoll i sjelljes.

“Deri në këtë periudhë, ne nuk kemi asnjë ankesë, për sjellje të papërshtatshme të nxënësve, nga mësimdhënësit që zhvillojnë onlajn mësim. U kemi dhënë Protokoll për sjelljen nxënësve në lidhje me mënyrën se si duhet të sillen gjatë onlajn mësimdhënies, mbi të gjitha me përmbajtjet dhe natyrisht në me respekt ndaj mësimdhënësve”, thonë nga shkolla.

Gjatë formimit të notave të nxënësve, këtë vit do të ndiqen udhëzimet e përcaktuara nga Byroja për zhvillim të arsimit.