Shkollat plotësojnë kushtet, MASH nuk jep leje për mësim me prezencë fizike

Shkollat periferike “Rada Stojanovska” në Çiflig dhe tjetra në Sveta Petka në Komunën e Sopishtes, janë dy nga 94 institucionet arsimore për të cilat Ministria e Arsimit nuk dha leje për realizim të mësimit me prani fizike. Absurdi, sipas arsimtarit të historisë, Ajrullah Jakupi, qëndron në faktin se nxënësve nga klasa e 4-të deri në të 9-tën u mohohet mundësia që mësimin ta ndjekin në shkollë, ku janë krijuar të gjitha kushtet, sipas protokolleve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse dhe mësimin duhet ta ndjekin online, ndërkohë që në të shumtën e rasteve s’kanë as pajisje dhe as internet.

Në këtë klasë duhet të ndjekë mësimin klasa e tretë dhe e nënta. Klasa e tretë ka 8 nxënës, kurse në klasën e 9-të përsëri 8 nxënës. Siç e shihni edhe vet, për çdo nxënës është përgatitur një bankë, ku duhet të ulën. Mirëpo, ne hasim në problem tek Ministria e cila merr vendim, se kështu duhet të duket një klasë, mirëpo në fund lejohet klasa e 3-të dhe nuk lejohet klasa e 9-të që kanë të njëjtin numër nxënësish. Nuk ka ardhur komision që të shohë gjendjen reale si e kemi, kanë konstatuar pa e parë.”-tha Ajrullah Jakupi, dr.prof i historisë.

Ndihmës drejtori, Xhevahir Jakupi, thotë se janë kujdesur personalisht që çdo pikë e protokollit të respektohet. Madje shton se 4 ditë më parë , kur edhe kanë marrë përgjigje negative, janë ankuar në drejtori dhe Komunë, por nuk kanë asnjë informacion të ri. Ai thotë se klasa e parë ku janë 18 nxënës lejohet të ndjekë mësimin me prani fizike, ndërkohë që klasat me më pak nxënës, jo. Sipas tij ata fëmijët çdo ditë shoqërohen me njëri tjetrin, edhe në rrugë.

Domethënë  nxënësi do të ulet në këtë vend, pastaj nxënësi tjetër do të ulet nga ana tjetër që të ketë distancën e nevojshme. Klasa e parë numëron 19 nxënës, është klasë me më shumë nxënës nga gjitha klasat tjera, mirëpo ministria ka vendos ashtu”-pohoi Xhevahir Jakupi- ndihmës drejtor.

Lahina Nuhiu, nxënëse e klasës së 8-të, ka vetëm librat nga të cilat do të mësojë. Për ndjekjen e mësimit online që nuk ka as kompjuter dhe as internet.

“-Çfarë klase je? – E teta. -Ke internet dhe pajisje elektronike në shtëpi? – Jo nuk kemi. As internet, as laptop. Ne nuk mund të mësojmë online. Ne duhet të vijmë në shkollë.”

Leje për ndjekje të mësimit me prani fizike Ministria e Arsimit dhe Shkencës u dha vetëm 223 shkollave fillore, nga gjithsej 325 që aplikuan. 196 prej tyre janë shkolla periferike dhe 27, shkolla qendrore. Leje për realizim të mësimit me prani fizike u dha për një shkollë për fëmijët me me nevoja të posaçme dhe pjesërisht për një shkollë fillore muzike.  14 shkolla të mesme nga gjithsej 27 që kërkuan nuk morën leje për realizim të mësimit me prani fizike për shkak të gjendjes epidemiologjike në komunën ku ndodhen dhe numrit të madh të nxënësve.