Pesë minuta me trajnuesin e Platformës Kombëtare për mësim, si do të vijojë mësimi nga 1 tetori? (VIDEO)

Në pamundësi për mbajtje të mësimit me prezencë fizike, nga 1 tetori nxënësit mësimin do ta ndjekin nga komforti i shtëpisë së tyre. Një nga master trajnuesit nacional të Platformës Kombëtare për mbajtje të mësimit nga distanca, Satki Ismaili, për Portalb.mk foli për sfidat dhe përparësitë e kësaj platforme. Ai shprehet optimist se procesi arsimor do të vijoje në mënyrë të rregullt për shkak se siç thotë ai, edhe pse me vonesë, mësimdhënësit trajnohen tash disa muaj, shkruan Portalb.mk.

Jo më larg se një javë më herët nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës prezantuan Platformën Kombëtare për mbajtje të mësimit nga distanca, respektivisht online nga llaptopët apo ko\mpjuterët e nxënësve, varësisht nga ajo që posedojnë ata.

Po çfarë në të vërtetë është kjo platformë dhe sa funksionale dhe lehtësisht për tu përdorur është, gazetari i Portalb.mk ishte mysafir në shtëpinë e njërit nga 33 master trajnuesve nacional për këtë platformë. Ai na shpjegoi nga pika 0 deri në mbarimin e orës mësimore se si do të funksionoje kjo platformë.

Siç u pa edhe në videon sipër, klasat tashmë nuk janë të zakonshme, gjithçka ka ndryshuar por kjo sipas Ismailit, nuk duhet të shihet si diçka negative për shkak se Platforma Kombëtare për mësim nga distanca është e thjeshtë dhe siç thotë ai, jashtëzakonisht e sigurt dhe solide për zhvillimin e një ore mësimore në kushte pandemie.

Klasa në Platformën Kombëtare për mësimin online.

I vetëdijshëm për problemet potenciale me të cilat do të përballen mësimdhënësit gjatë përdorimit të Platformës Kombëtare, Ismaili vullnetarisht ka regjistruar deri tani 9 video shpjeguese për atë se si përdoret kjo platformë, këta video i njëjti i ka publikuar në “Youtube” ku çdo mësimdhënës ka qasje për t’i ndjekur.

Klikoni KËTU për të ndjekur videot e përgatitura nga mësuesi Satki Ismaili.

E për atë se a është vonë që dhjetë ditë para fillimit të procesit arsimor të trajnohen aftësitë digjitale të mësimdhënësve, Ismaili thotë “më mirë vonë, se kurrë”. Ai shtoi se ka pasur kohë nga marsi të realizohen disa punë.

“Për tu realizuar të gjitha aktivitetet e parapara për Platformën Nacionale është edhe çështja e zhvillimit profesional të mësimdhënësve, ka disa gjëra që realisht është dashur të planifikohen me kohë. Për shembull, në periudhën mars-qershor, ku kemi mundur ne vazhdimisht që të përmirësojmë gjërat. Edhe pse tash është vonë, unë them më mirë vonë se asnjëherë” tha mësuesi Satki Ismaili.

Megjithatë, marrë parasysh të gjitha trajnimet si zyrtare ashtu edhe vullnetare, Ismaili është optimist që ky vit shkollor do të realizohet me sukses, deri në këto momente janë trajnuar 1300 mësimdhënës dhe po vijon trajnimi i 23.00 mësimdhënësve.

“Zhvillimi profesional i mësimdhënësve është shumë me rëndësi dhe tash ato a do të munden të gjithë këtë ta realizojnë me fillim të vitit shkollor në 1 tetor, unë jam optimist për shkak se trajnimet tashmë kanë filluar. I pari ishte me 33 master trajnuesit nacional, dhjetë prej tyre shqiptar, kemi trajnuar në nivel shtetëror diku 1300 trajnues shkollor. Tashmë nga dje, realizohen edhe trajnimet shkollore. Në këto trajnime, në nivel shtetëror zhvillohen me diku 23,000 mësimdhënës” shtoi Ismaili.

Ai si sfidë kryesore e sheh çështjen e sigurimit të mjeteve për mbajtjen e mësimit online, si nxënësve ashtu edhe mësimdhënësve, “Kjo platformë, është shumë më e mirë se ajo që e kemi pasur gjatë muajve mars-qershor, ku nuk e dinim ku kyçemi si dhe privatësia nuk ka qenë në nivel. Sfida ka, është çështja e infrastrukturës apo e mjeteve që mungon si nga ana e mësimdhënësve ashtu edhe nxënësve, por sidoqoftë çështja e kësaj platforme është diçka që do të na duhet edhe në situata të rregullta kur do të kaloje pandemia” tha ai.

Anketa e Avokatit të Popullit theksoi se vetëm 11% nga arsimtarët në fillore kanë kushte për mësimin online, ndërsa 58% janë përgjigjur se nuk janë të trajnuar edhe pse kanë pajisje kompjuteri, ose janë të trajnuar por nuk kanë pajisje kompjuterike. Anketa ishte zhvilluar nga qershori në gusht, ku kishin marrë pjesë 72 shkolla nga gjithë vendi.

Ndryshe, dje për Portalb.mk nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thanë se çështja e sigurimit të llaptopëve dhe mjeteve tjera të punës është obligim i secilës komunë, megjithatë, me këtë deklaratë nuk u pajtuan nga Komuna e Tetovës ku u shprehën se kjo e fundit nuk ju përgjigjet kërkesave të tyre.