Viti i ri shkollor 2020/2021 do të filloj më 1 tetor, ndërkohë është vendosur që procesi mësimor të zhvillohet përmes Platformës Nacionale për mësim online, e cila së fundmi është prezantuar edhe në Qeveri. Ndryshimet në Ligjin për arsim fillor dhe të mesëm kanë kaluar edhe në Parlament me 61 vota pro, asnjë kundër dhe 28 abstenime u miratuan ndryshimet për arsimin fillor dhe të mesëm. Platforma Nacionale për mësim online sipas Qeverisë është e thjeshtë për shfrytëzim dhe ofron mësim në pesë gjuhë. Nxënësit përmes kompjuterit, do të mund të kenë qasje në orën mësimore dhe të përdorin të gjitha materialet audio dhe video të vendosura në platformë. Gjithashtu Platforma nacionale, jep mundësi që të kryhen edhe detyrat e shtëpisë duke përfshirë dhe kuize të shpejta, teste dhe përmbajtje të tjera inovative, me qëllim që ora arsimore të mos jetë e mërzitshme për nxënësit.
PANDEMIA IMPONOI NDRYSHIMET NË ARSIM
Kryeministri Zoran Zaev, ka deklaruar se pandemia ka imponuar nevojën për të reformuar sistemin arsimor në një gjendje më të mirë dhe të angazhohemi më shumë në digjitalizimin dhe përmirësimin e tij. “Për herë të parë, kemi krijuar një platformë unike nacionale për mësim online, të cilën e kemi krijuar ekskluzivisht me burime të brendshme dhe ekspertët tanë”, u shpreh Zaev. Ndërkohë sipas ministres së Arsimit, Mila Carovska, platforma online është hapi i parë drejt modernizimit të sistemit të arsimit tonë. Sipas saj, kjo metodë e re do të jetë një burim i rëndësishëm edhe pas tejkalimit të krizës së virusit korona. “Periudha që vijon nuk do të jetë e lehtë për mësuesit, prindërit ose nxënësit. Ndryshimet janë gjithmonë të vështira, rregullimi dhe përshtatja kërkon sakrificë dhe angazhim të madh nga të gjithë ne”, ka thënë Carovska.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ditë më parë ka theksuar se nëse pasqyra epidemiologjike është e mirë dhe e qëndrueshme, atëherë një grup tjetër i fëmijëve do të lejohen të shkojnë në shkollë me prani fizike që nga fillimi i nëntorit. “Nga një tetori, me praninë fizike do të fillojnë fëmijët nga klasa e parë deri të tretën, ndërkaq grup moshat tjera do të mund të shkojnë në shkollë vetëm nëse numri i përgjithshëm i fëmijëve nëpër klasa ose në shkollë është aq i vogël sa që epidemiologët nuk konsiderojnë rrezik të madh”, deklaroi në një emision televiziv Filipçe.
KEMI NEVOJË PËR QASJE TË RE
Ekspertët e arsimit nuk pajtohen me vendimin e Qeverisë, që plotësisht të kemi mësim nga distanca. Sipas tyre, mësimi nga distanca nuk i plotëson të gjitha kërkesat dhe nevojat e nxënëseve dhe të mësimdhënësve. Profesori i pedagogjisë, Xheladin Murati, për gazetën KOHA, ka deklaruar se për të parë se sa do të jetë arsimi online funksional dhe i suksesshëm mbetet të shihet në praktik.
“Duke pasur parasysh se kriza me virusin korona do të marrë kohë dhe do të vazhdoj ende, institucionet arsimore duhet të mendojnë t’i hapin shkollat dhe t’i plotësojnë të gjitha kushtet, duke filluar që nga maska, dorezat, dezinfektuesit dhe të gjithë masat tjera për parandalimin e virusit korona dhe procesi mësimor të filloj të zhvillohet normalisht. Sepse me këtë vendim që kanë sjell institucionet po ikin nga përgjegjësia e tyre dhe po zgjedhin rrugën më të lehtë, por që lenë pasoja të mëdha për gjeneratat e ardhshme”, deklaroi Murati. Sipas tij, për të pasur efekt më të madh procesi mësimor, Ministria e Arsimit, duhet që të lejoj shkollat të vendosin vet se si ta zhvillojnë procesin mësimor, por duke mos i ngarkuar mësimdhënësit me përgjegjësi në rast të infektimit me COVID-19 të nxënësve, sepse kështu i ngarkon me përgjegjësi të madhe që nuk i lejon të vendosin për mësim me prani fizike. “Kemi nevojë për një qasje të re nga institucionet për zgjidhjen e problematikës së mësimit në kohë pandemie. Për shkak se ekziston një numër i madh i shkollave që plotësojnë kriteret për mësim me prani fizike”, përfundoi Murati.
ULTIMATUM PËR INSTITUCIONET
Kryetari i UNSHM-së, Blendi Hodai, për gazetën KOHA, është shprehur se opinioni i gjerë duhet ta ketë të qartë se nxënësit nuk janë pajtuar me vendimin e autoriteteve për mësim nga distanca, por se ata kanë bërë kompromis që mos të humbim edhe më shumë me procesin mësimor, pasi që vendi ynë veçse është një muaj mbrapa.
“Kemi pranuar që të fillojmë mësimin online duke e respektuar mendimin e epidemiologëve që të shikohet situata epidemiologjike gjatë muajit tetor, në qoftë se është gjendja e qëndrueshme, atëherë nxënësit në nëntor të kthehen gradualisht në shkolla. Nëse situata me virusin korona përmirësohet dhe ne nuk kthehemi në shkolla, atëherë nxënësit nga nëntori do të bëjnë bojkot. Pra kjo le të kuptohet nga autoritetet arsimore më shumë si një ultimatum”, deklaroi Hodai. Ai ka shtuar se ata si UNSHM, që nga muaji maj kanë kërkuar platformë nacionale për mësim nga distanca, por që kanë hasur në vesh të shurdhur. Sipas tij, kjo platformë nuk është zgjidhje për problemet me mësimin online, por gjithsesi do të modernizoj e digjitalizoj sektorin e arsimit me hapa të përshpejtuara. Ndryshe në Maqedoninë e Veriut, ekzistojnë më shumë se 930 shkolla fillore dhe rreth 130 të mesme. Ndërkohë në të gjithë vendin mësimin vijojnë rreth 270.000 nxënës. (koha.mk)