Brenda më pak se një jave (9 shtator) kopshtet në vend do të fillojnë të pranojnë fëmijë, e deri atëherë udhëheqësit në institucionet për përkujdesje duhet të përgatiten në përputhje me protokollet për mbrojtje nga përhapja e kovid-19. “Meta.mk” foli me disa drejtorë të kopshteve dhe prindër në Shkup, para se objektet për më të vegjlit të rihapen, transmeton Portalb.mk.
Komuna e Çairit është komunë me natalitet më të lartë krahasuar me disa komuna tjera. Këtu paralelet e shkollave janë më të mëdha, siç janë edhe grupet në kopshte, prandaj biseduam me Gëzime Bakiun, drejtoreshë e kopshtit “Fidani” i cili ka pesë klone (objekte) në komunë.
“Kemi edhe fëmijë prej vjet, të cilët do të vazhdojnë të vizitojnë kopshtet, por kemi pranuar edhe të rinj. Kemi hapësirë për të pritur të gjithë, sipas protokolleve. Fëmijë të rinj pranohen me certifikata që edhe nëna dhe babai punojnë, si dhe të prindërve të vetëm të punësuar. Objektet janë dezinfektuar disa herë deri më tani, e do t’i dezinfektojmë sërish, dy ditë para se të fillojmë. Është dezinfektuar kudo, vendet ku fëmijët do të flenë, hanë, hapësirat për lojëra”, thotë Bakiu.
Në secilin grup me fëmijë deri në moshën tre vjeç, nuk duhet të ketë më shumë se gjashtë fëmijë. Në grupe me fëmijë nga tre deri në gjashtë vjeç, nuk duhet të ketë më shumë se 15 fëmijë. Në hyrje, do të matet temperatura e secilit fëmijë dhe gjatë ditës do të monitorohet gjendja e tyre shëndetësore.
“Kemi 40 grupe në pesë klonet, kështu që kemi hapësirë të mjaftueshme. Deri më tani në kopshtet kemi rreth 450 fëmijë të regjistruar, por ky numër mund të ndryshojë sepse regjistrime ende vazhdojnë. Kemi staf të ri, kështu që shumë prej tyre e përdorin masën për t’u qëndruar në shtëpi me fëmijët e tyre deri në 10 vjeç. Por, ia dolëm dhe e zgjodhëm këtë duke i regjistruar edukatorët dhe kujdestarët me fëmijë të vegjël në kopshtin tonë, në mënyrë që edhe ata të vijnë në punë që edhe puna të mos pësojë”, shton Bakiu.
Kopshtet janë duke u përgatitur për të pritur fëmijët
Maja Ristovska, drejtoresha e kopshtit “Rosica” në Gjorçe Petrov, thotë se tani ka shumë interes në mesin e prindërve për të regjistruar fëmijët e tyre në kopsht, sepse ata shkojnë në punë dhe thjesht nuk kanë mundësi tjetër për t’u kujdesur për fëmijët.
“Kur kohë më parë bëmë një sondazh nëse prindërit dëshironin t’i çojnë fëmijën në kopsht, përgjigjet ishin “jo”. Tani kemi situatë tjetër. Jemi gati për të hapur dyert për fëmijët. Ata do të kenë një vakt të nxehtë, do të hanë nga dy fëmijë në tryezë, siç parashikohet me protokoll. Nuk e kam përshtypjen se prindërit janë të frikësuar, nuk kanë mundësi tjetër sepse punojnë. Problemi është se fëmijët duan të shoqërohen, të afrohen, duan të flasin dhe përqafohen. mendoj se do të jetë e vështirë të mirëmbahet distanca, por ne do t’u flasim për atë. Përndryshe, nëse në një sallë lojërash ka pasur 30 fëmijë, tani do të ketë 15. Ne kemi pesë klone dhe presim që gjithçka të jetë mirë. Punonjësit do të mbajnë maska, kurse fëmijëve do t’u matet temperatura”, thotë Ristovska për “Meta.mk”.
Në pesë klonet në kopshtin “Rosica” do të shkojnë rreth 460 fëmijë në moshën deri 6 vjeç.
Nga ana tjetër, në rrjetet sociale pati reagime të ndryshme nga prindërit pas informacionit se kopshtet do të hapin sërish dyert për më të vegjlit.
“Thjesht nuk e kuptoj cili është qëllimi i onlajn mësimit në shkolla? A nuk është qëllimi për të mos përhapur virusin, edhe pse këta fëmijë qëndrojnë vazhdimisht në grupe jashtë pa asnjë masë dhe tani merret një vendim për të dërguar në kopsht më të vegjlit, të cilët nuk dinë të kujdesen për veten e tyre. “Mbajtja e distancës është e pamundur të zbatohet në kopsht të fëmijëve”, tha një prind.
Një nënë tjetër thotë:
“Kopshtet duhet patjetër të hapen. Virusi mund të zgjasë me vite dhe ne nuk mund të mungojmë në punë për muaj dhe vite. Shumë prindër kanë mbetur pa punë, a keni menduar se si ia dali me sigurimin e ushqimit dhe si e kalojnë muajin, ndërsa ata nuk mund të punojnë sepse nuk ka kush të kujdeset për fëmijët e tyre?”, pyeti kjo nënë.
“Jeta duhet të kthehet në normalitet, në të gjitha vendet fëmijët janë kthyer në kopshte dhe shkolla, kurse kur veç më mendoni për sigurinë e fëmijëve, ata nuk janë të sigurt as në parqe, e ne i çojmë në parqe pa ndërpre. Ne që shkojmë në punë mund të infektohemi nga kovid-19 dhe t’ua transmetojmë sëmundjen fëmijëve tanë, kështu që ata nuk janë të mbrojtur 100 % në shtëpi”, tha një tjetër nënë.