Akoma nuk dihet fati i vitit të ri shkollor

Cilido model që të zgjidhet për mësimdhënie në kushte të “korona-pandemisë”, është e nevojshme të sigurojë një arsim cilësor, vlerësojnë ekspertët. Sugjerimi i fundit është që nxënësit deri në klasën e tretë të shkojnë në shkollë, si dhe nxënësit nga klasat me numër të vogël nxënësish, ndërsa të gjithë të tjerët të ndjekin mësimet në internet.  Kjo do të ishte e suksesshme nëse nxënësve dhe mësuesve iu sigurohen kushtet e nevojshme, të tilla si Interneti, mjetet digjitale dhe trajnimet e duhura, vlerëson komunikologu Bojan Kordallov.

“Unë besoj se kemi nevojë për një arsim cilësor. Nëse do të jetë në bankat shkollore gjë që është më e dëshirueshme, sepse ka prekje dhe kontakt të drejtpërdrejtë, nëse do të jetë digjitale, kur e kërkon një pandemi e tillë ose ndonjë kusht tjetër, është më pak e rëndësishme. Është e rëndësishme që të jetë me cilësi të mirë, që të përshtatet për nxënësit, dhe me të gjithë sistemin arsimor- deklaroi Bojan Kordalov – komunikolog.

Kordallov beson se shkollat duhet të jenë lehtësisht të adaptueshme ndaj mënyrave të ndryshme të ndjekjes së mësimdhënies, që do të aplikoheshin sipas numrit të pacientëve me Covid-19.

“Sipas mendimit tim, është shumë e rëndësishme të përcaktoni numrat e referencës të të sëmurëve, sipas të cilave do të zhvillohet një lloj i caktuar mësimdhënie – një numër i caktuar i të sëmurëve për një mijë banorë në një komunë të caktuar, do të thotë mësimdhënie në klasë. Nëse numri rritet, shkohet në mësimdhënie të kombinuar sipas parimeve të caktuara, nëse arrin një numër të caktuar më të lartë do të thotë që menjëherë do të kalojë në mësimin në internet. Nëse në disa komuna tashmë kemi numër të lartë, mësimi do të fillojë menjëherë në internet- pohoi Bojan Kordalov – komunikolog.

Pedagogët e këshilluar nga Alsat, nga ana tjetër, thonë se pasojat për fëmijët nga mësimi në internet gjatë muajve të kaluar janë të dukshme dhe negative. Ministria e Arsimit ka deklaruar tashmë se propozimi i fundit do të vihet në agjendën e Qeverisë, me siguri javën e ardhshme. Ministria e Arsimit sqaron se nxënësit që do të ndjekin mësimet në klasë, nëse janë në klasa me më shumë nxënës, do të ndahen në grupe më të vogla dhe do të punojnë me orë të shkurtuara. Por, që kjo të bëhet e zbatueshme, nevojiten ndryshime ligjore, dhe vendi aktualisht nuk ka Kuvend funksional. Prandaj, është e mundur që të shtyhet fillimi i vitit shkollor.

Burimi: Alsat-tv