Qëndresa Selimi nga Kumanova po arrinë majat e suksesit në fushën e matematikës. Qëndresa Selimi ka mbi 20 medalje. Në adresë të saj janë renditur medalje të arta, argjendta dhe të bronzta. Gjithë këtë sukses e ka arritur deri në moshën e saj 19 vjeçare.
Për momentin Qëndresa po qëndron në Angli, ku po merr pjesë në “International Mathematical Olympiad- England”, duke përfaqësuar shtetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Olimpiadë kjo prestigjioze e fushës së matematikës, shkruan gazeta Lajm.
Qëndresa është potencial intelektual që ka ngjallë interesin e Universiteteve të njohura botërore. Në një deklaratë për gazetën Lajm, Qëndresa zbulon rreth ambicieve shkencore dhe planet për të ardhmen.
“Falë sukseseve të deritanishme kam marrë oferta nga universitete në Londër, në Manchester dhe Bristol. Pas disa shqyrtimeve e zgjodha universitetin e Manchesterit që e llogaris si zgjedhjen më mirë për mua. Planifikoj të vazhdoj studimet në Matematikë dhe Statistikë, pasi që kam dashuri të madhe pë matematikën dhe dua të fitoj përgatitje profesionale në të. Më pas kisha pas dëshirë që me përvojën time të ju dal në ndihmë matematicientëve të rinj në trevat tona, pasi që si garuese unë i kuptoj ata më së mirti dhe e di se hasin në shumë vështirësi gjatë rrugëtimit të tyre. Për fund, i porosis të gjithë të rinjtë të ndjekin ëndrrat e tyre, të mos heqin dorë pasi sado të paarritshme të duken, me shumë punë dhe vullnet gjithçka mund të arrihet”, shprehet Qëndresa Selimi.
Qëndresa shkollën fillore e ka kryer në Kumanovë pranë SHF “Naim Frashëri”, ndërkaq këtë vit ka mbaruar edhe shkollimin e mesëm në kolegjin “Jahja Kemal” në Shkup. Kjo olimpiadë nuk është përvoja e parë e Qëndresës, ajo ka marrë pjesë edhe në Olimpiada tjera të rëndësishme botërore; si në Ukrainë, Moldavi dhe Iran./Gazeta Lajm