Sindikatat e pesë universiteteve publike UT, UNT, “Shën Klimenti i Ohrit” “Shën Apostol Pavle” dhe “Goce Dellçev”, njehen të diskriminuara për shkak se nga ky muaj, pagat do të rriten për 22% vetëm për të punësuarit e Universitetit Shën “Kirili dhe Metodi”. Ata përmes një komunikate u shprehën të revoltuar se Kuvendi padrejtësisht nuk i ka nënshkruar Propozim Marrëveshjet Kolektive të cilat i kanë dorëzuar. Sindikatat kërkojnë rritje të pagave edhe për universitetet tjera përndryshe paralajmërojnë protesta.
“Përderisa kërkesat tona të ligjshme nuk respektohen, atëherë si sindikata të pesë universiteteve publike, do të detyrohemi të sillemi sipas parimeve të organizimit sindikalist, përmes ndërmarrjes së të gjitha mjeteve ligjore që kemi në dispozicion, duke e përfshirë në fund të fundit edhe protestën publike”- thanë nga Sindikatat e universiteteve.
Ministri Jeton Shaqiri në emisionin 10 minuta të tv21 deklaron se asnjëra nga sindikatat nuk është drejtuar te Ministria e Arsimit, ai shton se të gjitha elementet juridike të ligjit duhet t’i kenë parasysh në mënyrë të përbashkët si dhe do ta mbështesë iniciativën për rritjen e pagave te të gjithë universitetet publike.
“Edhe unë kam insistuar si ministër të gjithë institucionet tjera publike sa më shpejtë në periudhën e vitit 2022, sa më shpejtë të përfundojnë të gjithë llojet e procedurave të cilat u takojnë nga aspekti juridik për të themeluar sindikatat e kështu me radhë, sepse unë jam dhe i qëndroj qëndrimit me marrëveshje të mos jetë vetëm për një institucion të arsimit të lartë publik në rastin konkret, por të vlejë për të gjithë universitet e tjera të cilat sa më shpejtë të kompletojnë procedurat. Kur jam tek kjo periudhë unë tani nuk i di mundësitë dhe dispozitat ligjore deri kur është dorëzuar kërkesa, a është dorëzuar nga të gjithë institucionet tjera publike në vend, sepse edhe palë negociuese nuk jam, edhe palë nënshkruese në këtë pjesë nuk jam, vetëm jam palë e cila duhet të jap qëndrimin në rastin konkret”- deklaroi Jeton Shaqiri – Ministër I Arsimit Dhe Shkencës.
Nga ana tjetër Sindikata e Pavarur e Instituteve Publike Shkencore e përshëndeti, siç e quajti fitore pas një beteje të gjatë të Lidhjes së Sindikatave të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”. Nga atje kërkojnë takim me ministrin Shaqiri për të biseduar për avancimin e të drejtave të punonjësve në institutet shkencore publike