Reforma të reja ende pa përfunduar reformat e filluara më herët. Kështu ka ndodhur me arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut. Këta reforma jo rrallë herë janë bërë në kurriz të nxënësve, prandaj edhe ka rënë dukshëm cilësia në arsim. Profesor të stërngarkuar me punë administrative dhe nxënës të stërngarkuar me detyra shtëpie dhe me çanta të rënda mbi supe. Punonjësit në arsim, shprehen se nxënësit kanë shumë lëndë brenda një dite dhe secili mësimdhënës u jep detyra shtëpia. Kjo është një stërngarkesë e madhe për fëmijët. “Aty ndikon edhe arsimtari, nëse ka për shembull shtatë detyra shtëpie duhet të zgjidhen ata që janë më të vlefshme. Pra, me tre detyra mund të përfshihet tërë materiali që e ke zhvilluar për një orë. Arsimtarët e këtillë i zgjedhin, i klasifikojnë që të mos mbetet barrë, sepse secili arsimtar jep detyra, sepse përmes detyrave nxënësi e përvetëson njësinë mësimore. Mirëpo, më shumë të punohet në klasë”, thotë Zija Adem, drejtor i shkollës Istikball.
Arsimtarët shprehen se nxënësit kanë nevojë të angazhohen përmes detyrave por me një numër të caktuar me detyra, jo shumë, sepse nxënësit kanë tepër lëndë. “Më tepër të angazhuar janë nxënësit në klasën e shtatë, tetë dhe të nëntë sepse kanë shumë lëndë mirëpo duhet të bëhet një komunikim mes arsimtarëve që të mos angazhohen shumë nxënësit vazhdimisht me detyra. Në disa lëndë patjetër është që të jepen detyra që të përvetësohet lënda, të përvetësohen njohuritë sidomos në lëndët shkencore që mendoj se nxënësit kanë nevojë të angazhohen por jo në numër të madh”, shprehet Zulqufli Salihi, arsimtarë i matematikës.
Krahas kësaj, nxënësit janë të stërngarkuar me libra dhe materiale shkollore në çantat e tyre. kjo ka bërë që të rriten rastet e deformimeve të boshtit kurrizor tek nxënësit.
“Rezultatet janë brengosëse, pra këtë e thonë edhe mjekët se ka deformime të boshtit kurrizor. Duhet të shihet se të gjitha ato materiale dhe ato pajisje që i ka nxënësi në çantë a janë të nevojshme. Për fat të keq, jo. Kam bërë një hulumtim lidhur me këtë dhe mesatarja është tetë kilogram, paramendoni nëse ka gjashtë orë brenda ditës janë gjashtë libra, gjashtë fletore pune, gjashtë fletore për detyrë klase dhe detyre shtëpie, kjo është tepër”, thotë arsimtari Satki Ismaili.
Se dëmtohet boshti kurrizor, nga mbipesha e çantave të nxënësve, këtë e thonë edhe profesionistët. “Kohëve të fundit është bërë një trend në rritje tek fëmijët, këtu padyshim kanë rol çantat shumë të rënda dhe bëjnë mbingarkesën e shtyllës kurrizore. Prandaj, fëmijët duhet të shmangin në këto raste pozicioneve të gabuara, më shumë të merren fëmijët me sport dhe me këto aktivitete sportive mund të shmangin problemet me boshtin kurrizor”, thotë Argjent Nazifi, fizioterapeut.
Kjo situatë, ka bërë që të kemi gjithnjë nxënës që kanë probleme me shtyllën kurrizore.“Fatkeqësisht, rreth 80 për qind e fëmijëve kanë deformitete fizike, dikush më pak, dikush më shumë, por mendoj se është koha që duhet të punohet kur në të fillojmë të përmirësojmë ato gabime që janë bërë tek fëmijët dhe ata të zhvillohen shëndetshëm”, Plarent Salihi, profesor.
Çantat shkollore të mbushura me libra nuk duhet të kalojnë 10 për qind të peshës trupore të fëmijës. Hulumtimet tregojnë se 65 për qind e dhimbjeve të fëmijëve në brezin e qafës dhe të shpatullave dhe 35 për qind në pjesën e shtyllës kurrizore ndodhin si pasojë e çantave të rënda dhe çantave të shpinës. /Koha.mk