Në Universitetin e Tetovës sot edhe zyrtarisht filloi afati i parë i regjistrimit të studentëve të rinj për vitin akademik 2023/24. Kandidatë nga qytete të ndryshme të vendit tonë nga Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë dhe rajoni sot në ambientet e Universitetit tonë kanë aplikuar për të studiuar në programe të ndryshme studimore, të cilët i ofrojnë 13 njësitë akademike të Universitetit të Tetovës.
“Kandidatët gjatë procesit të aplikimit i ka vizituar Rektori i Universitetit tonë, prof. dr. Jusuf Zejneli. Ai i përgëzoi ata për përzgjedhjen që kanë bërë, që studimet e tyre t’i ndjekin në Universitetin e Tetovës. Ai më tej, në bisedë e sipër me kandidatët, potencoi se Universiteti ynë i kushton rëndësi të veçantë procesit të regjistrimit, me qëllim lehtësimin e procedurave për aplikim, duke angazhuar të gjitha shërbimet për të ndihmuar në këtë proces”, thonë nga Zyra për informim pranë UT-së.
Po ashtu, ai tha se edhe këtë vit synojmë që të realizohen pritshmëritë tona dhe pas përfundimit të regjistrimit të fillojmë me aktivitetet e parapara në kalendarin akademik 2023/24.
Kandidatët shprehën falënderime ndaj rektorit për përkujdesjen dhe interesimin që tregoi ndaj tyre, me shpresë se edhe gjatë viteve të studimeve interesimi për ato nuk do të mungojë nga ana e drejtuesve të Universitetit.
Afati i parë i regjistrimit në UT do të vazhdojë deri më 1 shtator 2023.