Gjatë pushimeve verore, administratorët e IT nga 30 shkolla fillore dhe 26 shkolla të mesme do të trajnohen për përdorimin e ditarit të ri elektronik, thanë për Meta.mk nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). Trajnimet do të zhvillohen gjatë pushimeve vjetore dhe duhet ta “kalojnë” trajnimin, transmeton Portalb.mk.
“Janë duke u organizuar trajnime për aplikimin e zgjidhjeve të reja softuerike për departamentin e IT-së në MASh dhe në fazën e parë trajnim për administratorët e TI-së nga 30 shkolla fillore dhe 26 shkolla të mesme dhe në periudhën vijuese për të gjithë administratorë të tjerë të TI-së nga shkollat e tjera dhe do të duhet t’i trajnojnë mësimdhënësit”, thanë për Meta.mk nga MASh.
Nga aty sqarojnë se me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes fondeve IPA kanë nisur procesin e krijimit të sistemit të ri EMIS dhe ditarit të ri elektronik.
“Ai proces është në një fazë të avancuar, pra testimi i zgjidhjeve të reja softuerike bëhet nga Ministria e Arsimit, Byroja për Zhvillimin e Arsimit, Inspektorati Shtetëror Arsimor, Qendra Shtetërore e Provimeve, si dhe nga mësimdhënësit e shkollave. Është planifikuar që sistemet të vihen në përdorim në vjeshtë, me të cilat presim të tejkalohen problemet që janë konstatuar në infrastrukturën e vjetër harduerike dhe softuerike në vitet e kaluara”, sqarojnë organet kompetente.
Ditari elektronik u shpall si privilegj i ri në sistemin arsimor. Ai u prezantua si një risi në vitin 2013. Në atë kohë në sistem kishte rreth 27 mijë profile mësuesish, si dhe rreth 164 mijë prindër aktivë.
Meta.mk së fundmi njoftoi se edhe këtë vit mësimdhënësit kanë probleme me futjen e të dhënave në e-ditar, sepse të dhënat që i futin në sistem nuk po ruheshin, gjegjësisht humbeshin.
Mësuesit reaguan se u shfaqet “Error 503 Service Unavailable”, fusin më shumë, ndërsa sistemi regjistronte vetëm një, më pas reaguan se ishin përjashtuar nga sistemi dhe duhej të kyçen përsëri.
Ditarët e shkruar janë jashtë përdorimit, kështu që ditarët elektronikë janë i vetmi vend ku shkruhet e gjithë përmbajtja – notat, mungesat, përgatitjet ditore, raportet nga ekskursionet e realizuara. Shumë prej tyre duhej të punonin natën, sepse atëherë sistemi është më pak i ngarkuar dhe të dhënat mund të futen normalisht në të.
Vite më parë, mësuesit duhej të mbanin evidencë të dyfishtë pedagogjike – gjithçka që shkruanin në ditarin klasik duhej të futej edhe në e-ditar. Ishte detyrim ligjor. Ndodhte gjithashtu që sistemi të mos funksiononte fare, sepse kishte probleme me zgjedhjen e një kompanie që do të mirëmbante sistemin.