Në Universitetin e Tetovës u organizuan “Dita e Hapur” dhe “Panairi i Karrierës”

Një numër i konsiderueshëm maturantësh nga qytetet e Maqedonisë së Veriut dhe gjetiu, sot
morën pjesë në “Ditën e hapur”, që u organizua në Universitetin e Tetovës. Interesimi i madh i maturantëve
është tregues se Universiteti ynë është institucioni i denjë për ta, për t’i vazhduar studimet, pasi ofron
kushte bashkëkohore, duke filluar nga oferta akademike dhe ambientet akademike. Njëkohësisht, sot u
mbajt edhe “Panairi i Karrierës”, ku kompani të njohura nga vendi ynë e më gjerë, i prezantuan produktet e
tyre.
Në deklaratën e tij për medie, Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Ibrahim
Neziri tha se, sot Universiteti i Tetovës organizon “Ditën e Hapur” me shumë aktivitete të planifikuara nga
trembëdhjetë fakultetet tona. “Përpara maturantëve të cilët sot na vizitojnë nga të gjitha qytetet e
Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe Luginën e Preshevës, studentët, stafi akademik e prezantojnë të
gjithë ofertën akademike, mënyrën se si realizohet procesi mësimor, laboratorët, sallat e mësimit, me
qëllim që maturantët ta qartësojnë sa më mirë orientimin e tyre profesional dhe zhvillimin e karrierës.
Falënderojmë shumë edhe shkollat për bashkëpunimin e tyre gjatë prezantimit nëpër shkolla, gjithashtu
edhe gjatë ditës së sotme. Këtë vit Universiteti i Tetovës ofron 92 programe studimore në ciklin e parë dhe
106 programe në ciklin e dytë të studimeve, për vitin akademik 2023/2024. Sigurisht që është një vizitë
shumë e mirë, të cilën e shihni edhe sot. Ka një numër të konsiderueshëm të maturantëve, të cilët kanë
shprehur interesim, që për së afërmi të shohin ofertën akademike dhe programet studimore”, u shpreh
Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Ibrahim Neziri.
Ndërsa Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Agon Memeti u shpreh se krahas
“Ditës së Hapur” e cila ka kryesisht maturantët për target, Universiteti i Tetovës tashmë tradicionalisht
organizon edhe “Panairin e Karrierës”, panair ky i cili u adresohet absolventëve dhe komunitetit të biznesit.
“Këto janë edhe dy shtyllat kyçe mbi bazën e së cilës funksionon Universiteti ynë. Ne sot kemi hapur dyert
për një numër të konsiderueshëm të kompanive, të cilat në numër total janë diku rreth 35, duke filluar që
nga ato kompani nga industritë fondamentale, ato të prodhimit të ushqimeve, të trajnimeve, të gjuhëve të
ndryshme, por edhe kompani të tjera vendore në numër të shumtë. Po ashtu, shfrytëzojmë rastin që t’i
themi komunitetit të biznesit, që sa herë ka nevojë për resurse humane t’i drejtohen Universitetit të
Tetovës. Ne kemi shumë marrëveshje universitare me kompani të ndryshme vendore, të cilat drejtohen në
Qendrën për Karrierë të Universitetit tonë. Një numër i konsiderueshëm i absolventëve që përmenda dhe
të gjitha kompanitë që kanë partneritet me ne, na ofrojnë përkrahje të vazhdueshme dhe rreth 70 % të
studentëve që i mbarojnë studimet në Universitetin tonë punësohen në kompani të ndryshme”, potencoi
Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Agon Memeti.
Gjatë këtij aktiviteti, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtim Ahmeti bashkë me
Kryetarin e Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe pjesën tjetër të udhëheqësisë i vizituan tendat që ishin të
vendosura në hapësirat e Universitetit, teksa në përmbyllje, në shenjë mirënjohje, përfaqësuesve të
kompanive pjesëmarrëse në panair ju ndanë mirënjohje.