Më 27 shkurt 2023, Ambasadori i Japonisë Sh.T. Kazuya Otsuka nënshkroi marrëveshjen në kuadër të Grant programit për projekte të vogla dhe siguri njerëzore (GGP), me qëllim të përmirësimit të nevojave themelore njerëzore në Maqedoninë e Veriut.
Marrëveshja për grant është nënshkruar me shkollën fillore “Kirili dhe Metodi” Tetovë për rinovimin e dyerve dhe dritarëve, në vlerë të përgjithshme prej 77,188 euro.
Ceremonia e nënshkrimit të projektit u hap nga kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, ndërsa marrëveshja u nënshkrua nga drejtoresha e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” Tetovë, znj. Sihana Kaba Kasami, së bashku me ambasadorin e Japonisë Sh.T. Kazuya Otsuka.
“Në emrin tim personal dhe në emër të stafit të shkollës, nxënësve dhe prindërve të tyre, dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë për popullin e Japonisë dhe ambasadës së Japonisë”, theksoi drejtoresha e shkollës fillore Kirili dhe Metodi Tetovë, znj. Sihana Kaba Kasami.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, ambasadori Otsuka theksoi se: “Me anë të këtij donacioni, më tepër se 1000 fëmijë do të kujdesen dhe do të kenë një mjedis të sigurt mësimi”.
Kryetari i komunës z. Kasami shtoi se: “Në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Tetovës, dua të falënderoj sinqerisht Ambasadën e Japonisë dhe Sh.T. Ambasadorin Kazuya, për investimet e vazhdueshme në zhvillimin, mbështetjen dhe miqësinë e qytetit tonë.”
Në kuadër të programit (GGP), Japonia ka financuar projekte për rinovim dhe sigurim të pajisjeve në më shumë se 75 shkolla dhe kopshte, 67 objekte shëndetësore dhe ka ofruar 35 automjete të specializuara për menaxhimin e mbetjeve dhe shërbimeve komunale për 52 komuna.
Japonia në vazhdimësi mbështet Maqedoninë e Veriut në sektorë të ndryshëm, si zhvillimi infrastrukturor, përmirësimi i shërbimeve shëndetësore, arsimi, mjedisi, kultura, ndihma gjatë fatkeqësive natyrore dhe krizave të refugjatëve, si dhe ndihma emergjente në vlerë prej më shumë se 423 milionë euro, si dhe ndihma të tjera jofinanciare.