Vazhdojnë alarmet për bomba, nxënësit ankohen për humbje të orëve

19 paralajmërimet e sotme për bomba në 19 shkolla të vendit sërish rezultuan të rreme, informuan nga Ministria e Punëve të Brendshme. Që nxënësit mos të humbin nga mësimi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës tashmë ka udhëzuar shkollat që në ditët kur do të jenë të kërcënuara mësimin ta zhvillojnë online, duke vazhduar nga ora e humbur pas një ore pushim. Me këtë vendim nuk pajtohen shumë nxënës dhe mësimdhënës. Sipas nxënësve, paralajmërimet për bomba po shkaktojnë humbje të mëdha në procesin mësimor dhe probleme psikologjike. Madje, ata thonë se ndjehen të dështuar si gjeneratë.

“Kjo ka ndikuar shumë sepse ne kemi pas edhe me nota, për shkak të lajmërimeve të bombës ne nuk kemi mund të përgjigjemi  me nota ose ti mësojmë mësimet dhe për këtë arsye ndjehem shumë keq. Online i kemi kushtet të ndaluara, nuk i kemi të gjitha kushtet. Lëndët si matematika, fizika nuk janë aq lëndë të lehta që mund ti mësojmë online”, tha një nxënëse.

“Prandaj, është më mirë që të vijmë dhe të mësojmë me prezencë fizike. Ka pak panik sepse nuk e dimë nëse është e vërtet apo është vetëm që të na bëjnë panik që të na largojnë mësimet. Edhe klasa jonë po edhe gjenerata jonë kemi dështuar shumë nga humbja e mësimeve që kemi humbur këto ditë”, u shpreh një nxënëse.

Mësuesi Selajdin Hamidi apelon institucionet përkatëse që urgjentisht t’i japin fund kësaj çështje. Siç tha Hamidi, akoma pa u tejkaluar pasojat e pandemisë nxënësit po përballen me pasoja të reja psikike.

“Shteti ka mundësi që me kohë të gjitha gjërat ti ndërpres. Interneti ka mbërri aq larg sa të gjitha gjërat mund të kuptohen për një kohë shumë të shkurtër. Pse kjo nuk ndodhë në Evropë ose Amerikë apo diku tjetër por vetëm në Ballkan e vendet tjera. Shpresojmë që kjo punë të zgjidhet e mos të ketë prapavija të tjera politike. Kushtet bazike nuk i ka secili, internet, telefon apo laptopi. Te ne dy tre fëmijë janë dhe secili e do kushtin e vet, ku me një dhomë. Prandaj, duhet të bëjmë diçka që kur ta zbatojmë online deri në maksimum por edhe me kushte”, deklaroi Selajdin Hamidi, mësimdhënës.

Kryeministri Kovaçevski një ditë më parë deklaroi se hetimi për bombat ka zbardhur të dhëna interesante fillestare. Sot, kryeministri duke u sqaruar tha se dyshimet janë se njoftimet për bombë vijnë nga dikush që nuk e do të mirën e Maqedonisë së Veriut. /Alsat.mk