Sindikata Akademike e Pavarur kërkon nga MASh të paguajë rregullisht pagat në universitetet shtetërore

Në periudhën e kaluar është bërë praktikë e zakonshme që pagat e punonjësve të universiteteve publike të paguhen me vonesë, përtej 15 ditëve të parashikuara me ligj pasi ka kaluar afati i pagesës, kanë reaguar sot anëtarët e Sindikatës Akademike të Pavarur përmes një deklarate me shkrim, transmeton Portalb.mk.

Me këtë, thonë ata, kërcënohet siguria juridike e punëtorëve të universiteteve publike dhe dispozitat e nenit 109 të Ligjit për marrëdhënie të punës dhe nenit 66 të Marrëveshjes Kolektive për Arsimin e Lartë dhe Shkencën.

“Punëtorët, veçanërisht ata që kanë pagë afër pagës minimale, janë vënë në një pozitë jashtëzakonisht të palakmueshme dhe poshtëruese ekonomike. Duke pasur parasysh se personeli mësimor në arsimin e lartë shumë shpesh detyrohet të paguajë nga fondet e veta udhëtimet e punës për të marrë pjesë në konferenca dhe takime profesionale, si dhe blerjen e literaturës së nevojshme profesionale, me vonesën e pagesës së pagës, vihet seriozisht në pikëpyetje kryerja e detyrave të rregullta, detyrimet e punës që parashikohen me kontratat e punës”, thuhet në reagimin nga sindikata.

Nga aty për vonesat e kanë njoftuar ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

“Kërkojmë që në një kohë sa më të shkurtër të shpjegohen në mënyrë transparente arsyet e vonesave të tilla dhe të merren të gjitha masat në kompetencë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për respektimin e dispozitave ligjore dhe pagesën në kohë të pagave”, thuhet në kumtesën e kësaj sindikate.