Alarm për bombë në shkollat e Kumanovës!

Të enjtën e 15 dhjetorit disa shkolla në qytetin e Kumanovës kanë marrë kërcënime me bomba përmes postave elektrike duke shkaktuar panik në mesin e nxënësve të cilët janë evakuuar nga organet kompetente, informon indeks.mk

Ekipet e MPB-së tashmë janë në terren dhe kanë ndërmarr aktivitete për kontrollin e objekteve.

Krahas raportimeve anonime për bomba të vendosura në shkollat ​​e mesme dhe fillore, javën e kaluar ka pasur edhe kërcënime me bomba në institucione dhe qendra tregtare.

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, më herët pati deklaruar se nuk përjashtohet mundësia e siç ka thënë “lojërave politike”, apo edhe e ndonjë sulmi kibernetik, siç ishte edhe rasti me sulmin ndaj faqes së internetit të Ministrisë së Arsimit.

Por, organet e rendit ende nuk kanë arritur të zbulojnë adresën dhe vendin prej nga dërgohen e-mailet kërcënuese.

Më 3 nëntor, policia maqedonase kishte arrestuar një person të dyshuar të një organizate konservative, por Prokuroria e Shkupit e kishte liruar, meqë nuk kishte konstatuar asnjë lidhshmëri mes tij dhe kërcënimeve me bomba.