Në vend të librave, nxënësit marrin molla! Në Tetovë mungojnë rreth 46 mijë libra

Në vend të librave nxënësve në shkolla fillore po u shpërndahen molla.

Edhe pse jemi në fund të gjysmëvjetorit të parë, shumë nxënës në shkollat fillore edhe të mesme në Tetovë ende kanë mungesë librash.

Nazmi Dauti udhëheqës i sektorit për veprimtari komunale thotë se në shkollat e Tetovës mungojnë rreth 46 mijë libra.

“Ne saktësisht kemi mbledhur numrin e nevojshëm të librave që na nevojiten në shkollat fillore dhe të mesme  ku gjithsej në shkollat fillore na duhen 35 mijë libra  edhe në shkollat e mesme 11 mijë libra”, tha Nazmi Dauti – sektori për arsim Tetovë.

Dauti thotë se sjella e mollëve është  një vendim ministrisë së Bujqësisë me pëlqimin e Ministrisë së Arsimit.

“Nuk mund ta kuptoj dhe nuk mund të them asgjë është një ­çështje që është marrë  nga pushteti qendrorë më konkretisht ministria Bujqësisë. Në bazë të informatave që kanë ardhur që ne të vëmë kontaktin mes tyre është diku tre kilogram për nxënës, por çështje më serioze se çështja e mollëve  është çështja librave që duhet me urgjencë të reagon ministria për Arsim edhe Shkencë  dhe të siguron libra për shkolla fillore dhe të mesme”, pohoi Nazmi Dauti – sektori për arsim Tetovë .

Ministri arsimit Jeton Shaqiri sot u pyet nga gazetarët se a ndjenë përgjegjësi për të dhënë dorëheqje për shkak mungesës së librave. Ai u përgjigj:

 “Po do të ndjeja përgjegjësi nëse atë që e kam paraparë për vitin e ardhshëm në 2023/2024 nëse të gjithë procedurat do të vareshin nga ana e Ministrisë së Arsimit. Ju e dini se unë ministër erdha në muajin janar kur disa procedura ishin kryer një vit më parë, që do të thotë ishte sjell edhe propozim buxheti nga viti paraprak”, tha Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit.

Këtë vit shkollat në Maqedoni filluan pa libra në pjesën më të madhe edhe pse ministria në atë kohë shpërndau skripta dhe premtoi se deri në fund të muajit nëntor do të ketë furnizim të librave, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur sot e kësaj dite. /TV21