Tabelat me informacion për oraret në stacionet e autobusëve vazhdojnë të lajmërojnë ardhjen e autobusëve të NQP-së të cilët sot mbetën të parkuar në bazë. Për herë të parë në historinë e tij që kur ka transport publik, kryeqyteti mbeti pa transport publik. Sindikalistët e NQP-së njoftuan se do të vazhdojnë me protestat deri në pagimin e rrogës, ndërsa qytetarët që nuk kanë mundësi të udhëtojnë me makina, në vend të autobusëve nga stacionet e autobusëve largohen me taksi ose në këmbë. Gjatë vizitës në disa nga stacionet më të frekuentuara nëpër Shkup, redaksitë e Meta.mk dhe Portalb.mk takoi shumë qytetarë që pasi nuk arritën t’i kryenin detyrat të zhgënjyer vendosën të kthehen në shtëpi. Megjithatë, disa kanë fatin e të udhëtojnë me ndonjë nga autobusët privat.
Në bulevardin “Partizanski Odredi” mëngjesin e sotëm mund të vihej re një ngarkesë më e madhe e trafikut për shkak të mosqarkullimit të autobusëve të NQP-së. Automjetet lëviznin në kolonë në të gjithë rrugën nga Karposh 1 në drejtim të qendrës së Shkupit. Në stacionet e autobusëve ishte ndjeshëm më i ulët numri i udhëtarëve që prisnin autobus. Megjithatë, mund të shihej se qarkullonin autobusët privat, por autobusët e tyre si edhe dje ishin plot me udhëtarë. Në këtë bulevard qarkullojnë linjat 11, 12, 19 dhe 22, të cilat pjesërisht mbulohen nga transportuesit privatë, kështu që në to hipën ata pak udhëtarë që prisnin autobus.
E ngjashme është gjendja edhe në lagjet e tjera të kryeqytetit. Në Çair, udhëtarët me të cilët bisedoi Portalb.mk thonë se kanë më shumë se gjysmë ore që presin autobus. Disa nga ato kthehen në shtëpi, ndërsa disa të tjerë presin autobusin privat numër 9. Të tjerë shpresojnë që mund të kalojë ndonjë nga autobusët privat të linjës 19, që edhe në periudhën e kaluar ka qenë problematik me respektimin e orarit të rregullt.
“Kam termin te Spitali Ushtarak. Nëse nuk vjen 19-shja nuk do mund të shkoj në kontroll, e nuk kam para që të shkoj me taksi“, tha një udhëtare për Portalb.mk.
Një banore e Çairit e cila në punë shkon me makinë, tha se për dallim nga ditët e tjera sot ka arritur në punë më shpejt.
“Jetoj në bulevardin Hristijan Todorovski Karposh. Stacioni i autobusit tek banesat, që zakonisht është përplot, sot nuk kishte udhëtarë që prisnin autobus. Punoj në qendër, udhëtoj për në punë me makinë e mu deshën vetëm 15 minuta që të vijë në vendin e punës. Kjo është relativisht shpejtë, sepse më parë më është dashur më shumë kohë për shkak të rrëmujës në trafik. Sot nuk kishte rrëmujë”, tha qytetarja.
Në lagjen Kisella Voda këtë mëngjes, si dhe çdo ditë tjetër kishte shumë rrëmujë në trafik. Kolona të gjata me makina kaluan nëpër rrugën Hristo Tatarçev, por stacioni i autobusëve ku ndalojnë linjat 13, 24 dhe 58 mbetën të zbrazëta. Kohë pas kohe vinin studentë të cilët shikonin tabelat me informacion për orarin e qarkullimit, por pasi e kuptonin se autobusi nuk do vijë, fillonin të kërkonin një mënyrë tjetër për të arritur në ligjërata. Kështu ndodhi edhe me studentet Aina, Loreta dhe Karlota të cilat nëpërmjet programit Erazmus kanë ardhur nga Spanja në Shkup e që duhej të shkonin në Fakultetin e Mjekësisë.
“Ne jemi tre e taksinë do e paguajmë bashkërisht. Duhet të shkojmë në fakultet, në Klinikën e Onkologjisë. Por autobus nuk kishte, kështu që i lutëm disa miq që të na kërkojnë një taksi“, thanë studentet.
Anita, që gjithashtu është studente e mjekësisë, nuk kishte mundësi të paguante taksi.
“Sot nuk do mund t’i ndjek ligjëratat. Nuk kam para të paguaj taksi. Shpresoj që profesorët të kenë mirëkuptim, me siguri nuk do mungoj vetëm unë”, tha ajo.
Nga NQP thonë se gjendja e sotme kaotike me transportin publik nuk është e ligjshme.
“Nga mëngjesi i sotëm, rreth 20 persona të LSM-së dhe të ashtuquajturës Sindikatë e pavarur e NQP-së i ndalojnë shoferët e autobusëve në kryerjen e detyrave të tyre të punës, në kundërshtim me nenin 35 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike me të cilin rregullohet mënyra e grevës“, kumtuan nga NQP.
Ata shtojnë edhe se personat në fjalë nuk kanë këshill të grevës, e as që e kanë paralajmëruar grevën.
“Edhe sikur të kishin paralajmëruar për grevën, ata në pajtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike do duhej të siguronin funksionim të rregullt të ndërmarrjes gjatë kohëzgjatjes së grevës“, theksojnë nga NQP.
Për shkak të gjendjes së këtillë Qyteti i Shkupit lajmëroi se do ngrejë kallëzime penale kundër personave të cilët e pengojnë funksionimin e rregullt të ndërmarrjes publike dhe „e mbajnë peng Shkupin dhe shkupjanët“.
Qyteti i Shkupit në mbledhjen e djeshme të jashtëzakonshme përgatiti vendim për rialokim të mjeteve me të cilat do sigurohet pagesa e pagave të fundit për punonjësit e NQP-së.
Nga NQP bënë thirrje drejtuar këshillit drejtues të NQP-së që të veprojnë konform detyrimeve të tyre ligjore, sepse në të kundërtën do jenë pjesë e kallëzimit penal për shkak të organizimit të paligjshëm të grevës dhe për pengimin e punës së ndërmarrjes.