Në çerdhen “Majski cvet” në komunën e Karposhit, që ndodhet në lagjen Taftalixhe, në grupin e dedikuar për fëmijë nga mosha 5 deri në 6 vjeç, janë regjistruar 37 fëmijë, që është përtej numrit të parashikuar nga ligji, reagojnë prindërit e fëmijëve në këtë kopsht. Ata kanë frikë se si dy punonjës (një mësues dhe një kujdestar) do të arrijnë të punojnë me një numër kaq të madh fëmijësh në baza ditore. Ndryshe, sipas Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, një grup me fëmijë të moshës parashkollore mund të ketë maksimumi 25 fëmijë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
“Këta janë fëmijë që janë në grupin më të madh, pra janë fizikisht më të mëdhenjtë. Janë 37 në listë, dhe lista shfaqet në hyrje të kopshtit. Pyes veten se si do të shkonin kaq shumë fëmijë në banjë, si do të mblidheshin në dhomën ku flenë. Ata fëmijë duhet të shkojnë në shkollë nga 1 shtatori dhe si do të mësojnë, a do të kishte kushte për të mësuar. Për më tepër, ne harruam për pandeminë. Dhe për ta do të kujdesen vetëm dy punonjës”, thotë një prind i një fëmije në grupin më të madh.
Meta.mk pyeti drejtoreshën e çerdhes, Tatjana Bozhinovska Milladinovska, e cila tha se institucioni “Majski cvet”, me qëllim të takimit me qytetarët e komunës së Karposhit, dhe në pajtim me komunën, pranon një numër më të madh të fëmijëve sesa parashikohet.
“Jemi të vetëdijshëm për mbingarkesën e kopshtit për shkak të kësaj situate, por pavarësisht kësaj, ne po mundohemi që të ofrojmë të gjitha kushtet e nevojshme për përkujdesjen dhe rritjen e fëmijëve të kësaj moshe në institucionin tonë”, thotë drejtoresha.
Nga eksperienca e mëparshme, shton ajo, ky numër maksimal i përdoruesve të shërbimeve të kopshteve pothuajse asnjëherë nuk është përmbushur për shkak të mungesës së shpeshtë të fëmijëve për arsye të ndryshme.
“Për këtë grup është planifikuar që në vend të dy të punësohen tre persona – një mësues dhe dy kujdestarë dhe presim që frekuentimi ditor të jetë nga 25 deri në 30 fëmijë. Kështu nuk do të ketë pengesa për zhvillimin normal të punës edukative të grupit”, sqaron Bozhinovska Milladinovska.
Ndryshe, sipas Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, gjegjësisht nenit 46, puna në çerdhe organizohet varësisht nga mosha e fëmijëve në grupe, deri në 12 muaj nga gjashtë deri në tetë fëmijë; deri në 18 muaj – nga 8 në 10 fëmijë; deri në dy vjet – nga 10 deri në 12 fëmijë; deri në 3 vjet nga 12 deri në 15 fëmijë në një grup; deri në 4 vjet – nga 15 deri në 18 fëmijë në një grup; fëmijë deri në 5 vjet – nga 18 deri në 20 fëmijë si dhe deri në gjashtë vjeç në një grup mund të ketë maksimumi 25 fëmijë.