Më 13 korrik, duhet të shpallen rezultatet e provimit të maturës shtetërore për maturantët e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), të cilët hynë në provime këtë muaj. Vlerësuesit gjatë kësaj periudhe nëpër shkolla do t’i kontrollojnë testet, që do të mbahen sekrete për të shmangur intervenimet dhe presionet, njofton Portalb.mk.
Në Qendrën shtetërore të provimeve (QSHP) thonë se po bëjnë përpjekje që rezultatet të shpallen edhe para datës së parashikuar me rregullore.
“Mund të shpallen edhe para 13 korrikut, do ta shohim. Çdo kandidat i pakënaqur do të ketë të drejtë për të parashtruar kundërshtim”, njoftoi Beti Llameva nga QSHP.
Këtë vit në lëndën gjuhë amtare, për ese është dhënë një temë e lirë, në vend që të jetë ndonjë drejtim konkret letrar siç ishte praktikë viteve të kaluara. Ka pothuaj një dekadë nga fillimi i maturës shtetërore në Maqedoni. Në të kaluarën ka pasur premtime se matura shtetërore do të realizohet në kompjuter në vend se në letër, por kjo s’është realizuar për shkak të vjetërsisë së se kompjuterëve, të cilët shteti disa vite më parë i bleu për shkollat.
Në fund, zakonisht rezultati mesatar i suksesit të maturës është tresh. Ajo që habit është fakti që të maturantët tregojnë rezultate më të mira në gjuhën angleze, se sa në gjuhën amtare, edhe pse orë të gjuhës amtare e kanë katër herë në javë.
Disa ministra deri kanë paralajmëruar se do të bëjnë analiza për të parë arsyen përse rezultatet në gjuhën angleze janë më të mira se gjuhën amtare, por analizë deri tani s’ka bërë askush, duke e përfshirë edhe Qendrën shtetërore të provimeve, si institucion përgjegjës për organizimin dhe implementimin e provimit shtetëror.