Dy javë para regjistrimit në shkolla të mesme nxënësit kanë “vërshuar” shkollat e mesme për tu njoftuar me drejtimet që ofrojnë, shkruan Alsat.
Ata që akoma nuk janë përcaktuar thanë se vizitat në këto shkolla, posaçërisht ato profesionale janë mundësi e mirë për të vendosur për arsimin e mesëm.
“Erdhëm të shohim si është shkolla, si mësohet. Nuk e di ku do të regjistrohem, kam akoma kohë të mendoj. Më shumë më tërheq drejtimi infermiere”, u shpreh një nxënëse.
Në shkollën profesionale “Cvetan Dimov” nxënësit mund të konkurrojnë në drejtimin ekonomiko- juridik dhe tregtar si dhe ato medicinale.
“Në drejtimet ekonomik-tregti dhe juridik janë teknik ekonomik, biznes administrator, teknik shitës dhe është një paralele në gjuhën turke teknik ekonomik. Ndërsa te paralelet e medicinës kemi motër medicinale, teknik farmaceutik, teknik dhëmbësh. Risia për sivjet është se në drejtimet medicinare do të ketë një paralele turke”, theksoi Visar Durak, drejtor, SHMQSH “Cvetan Dimov”.
“Kam zgjedhur këtë drejtim që të bëhem një notere e ardhshme ose një avokate. Më ketë drejtim ne mund të punësohemi vetëm me shkollë të mesme”, tha një nxënëse..
“Jam nxënëse e drejtimit teknik dhëmbësh. Ju kisha rekomanduar që ta zgjidhni këtë drejtim, është fitimprurës dhe gjithashtu është një drejtim me kreativitet, me shumë dëshirë e punon”, u shpreh një nxënëse.
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se interesimi për arsimin profesional vazhdimisht po rritet. Sipas drejtorit të Qendrës për Arsim profesional deficitare paraqitet fusha e makinerisë dhe komunikacionit.
“Vitin e kaluar ka pas 50 ose 60, ndërsa këtë vit kemi më shumë se trefishin e paraleleve duale të cilat kanë qenë para dy viteve. Më gëzon edhe fakti që marrëveshjet e kompanive janë katërfishuar që janë lidhur me shkollat e mesme profesionale dhe në të njëjtën kohë shohë që interesi në çdo shkollë nga viti I kaluar dhe këtë vit do të jetë më i lartë”, deklaroi Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
“Arsimi profesional kohëve të fundit po e merr vlerën e duhur, në veçanti me kyçjen e mësimit përmes punës ku përveç teorisë një rol i rëndësishëm i caktohet edhe praktikës. Deficitare zakonisht paraqitet fusha e makinerisë”, tha Sherif Miftari, Qendra për Arsim profesional.
Regjistrimi në shkollat e mesme, në vitin e ri shkollor 2022-23 do të realizohet më 14 dhe 15 qershor. Këtë vit, për herë të parë regjistrimi do të bëhet në formën online përmes linkut e-uslugi.mon.gov.mk./Alsat.mk