Sot, ambasadori i Japonisë, Hironori Savada mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të projektit në Komunën e Studeniçanit, në kuadër të grantit japonez për projekte të vogla për siguri njerëzore, përkatësisht GGP. Mikpritja e ceremonisë u realizua nga kryetari i Komunës së Studeniçanit Azem Sadiki dhe drejtori i shkollës fillore “Alija Avdoviq”, Kenan Imeri.
Projekti për përmirësimin e mjedisit mësimor në shkollën fillore “Alija Avdoviq” në fshatin Batincë të Komunës së Studeniçanit, ka mundësuar rinovimin e plotë të shkollës me dyer dhe dritare të reja, në vlerë të përgjithshme prej 57.633 euro. Ky është donacioni i parë që realizohet përmes programit japonez GGP për Komunën e Studeniçanit.
Gjatë vizitës, ambasadori Savada pati një takim të shkurtër me kryetarin Sadiki. Ata biseduan për thellimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm ndërmjet Ambasadës së Japonisë dhe Komunës së Studeniçanit. Ambasadori Savada vizitoi edhe shkollën “Alija Avdoviq” në fshatin Batincë, ku u mirëprit nga nxënësit dhe mësimdhënësit, të cilët shprehën mirënjohjen e tyre për donacionin e dhuruar nga Japonia.
Ambasadori Savada në emër të popullit japonez, shprehu falënderimin për mbështetjen dhe miqësinë e qytetarëve të Studeniçanit.
Në kuadër të programit GGP, Japonia ka financuar projekte për rinovim dhe furnizim të pajisjeve në më shumë se 70 shkolla dhe kopshte të fëmijëve, 57 institucione shëndetësore dhe ka siguruar 31 automjete për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e mbeturinave në 49 komuna. /Portalb