Komuna e Tetovës e ka shkarkuar drejtoreshën e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, Teuta Llalla me akuzat se ka kryer keqpërdorime financiare. Vendimi i Komunës për shkarkim, siç thonë nga ky institucion, është bazuar në raportin Revizionit dhe është vërtetuar edhe nga Këshilli i Shkollës. Në një deklaratë për mediat, Llalla mohon akuzat, transmeton Portalb.mk.
“Sipas raportit në fjalë gjatë procedurave janë konstatuar shkelje të shumta financiare që kanë dëmtuar buxhetin e shkollës dhe kanë penguar mbarëvajtjen normale të procesit edukativo-arsimor. Këshilli i shkollës pasi ka shqyrtuar raportin e revizionit dhe pas konstatimit për shkelje të shumta ka të drejtë të propozojë shkarkimin e drejtorit dhe për këtë e njofton kryetarin e Komunës së Tetovës. Pas arritjes se propozimit te Këshillit të Gjimnazit me NR 03-201/1 të datës 11.05.2022 kryetari veproi në bazë të dispozitave ligjore, që për bazë ka propozimin e këshillit të shkollës. Gjithashtu përmes avokatit, komuna ka iniciuar procedurë për të konstatuar shkeljet ligjore që janë bërë nga drejtoresha.” thuhet në njoftimin e Komunës së Tetovës.
Nga ana tjetër, drejtoresha Lalla, thotë se mbledhja e Këshillit është mbajtur, ndërsa ajo nuk është aspak e informuar për këtë, ndërsa Revizionin e konsideron selektiv.
“Fillimisht, unë revizionin do ta quaja selektiv, pasi përfshin periudhën vetëm kur unë jam drejtoreshë. Një hapësirë e madhe kohore nuk është mbuluar nga Revizioni. Në këtë drejtim, unë në konsultim me ligjin konstatoj se nga ana e kryetarit të Komunës janë bërë veprime të përshpejtuara dhe unë do t’i ndjek të gjitha procedurat ligjore kundrejt kësaj çështjeje”, tha Lalla.
Ajo u shpreh edhe se do të ankohet për këto akuza.