GREVA/ Qeveria: Grevistët mos të mashtrohen, mësimi dhe negociatat të vazhdojnë

Vendimi që greva e përgjithshme të vazhdojë, ndërsa fëmijët të humbin mësimin para përfundimit të vitit shkollor dhe mos të përkujdesen në kopshte, bën dëm të pazëvendësueshëm për të gjithë ne dhe shtetin. Çdo ditë dhe orë e humbur e procesit edukativo-arsimor është në dëm të drejtpërdrejtë të nxënësve dhe askush nuk mund ta kompensojë, ndërsa përgjegjëse për këtë humbje të pazëvendësueshme është Sindikata  dhe këtë askush nuk mund ta kundërshtojë.

U bëjmë thirrje mësimdhënësve, edukatorëve dhe mësuesve kujdestarë që interesin më të mirë të fëmijëve ta vendosin para interesave të tyre personale, duke e kthyer mësimin dhe përkujdesjen e fëmijëve në shkolla dhe kopshte.

Njëkohësisht, me qëllimin më të mirë informojmë se vendimi i SASHK-ut për organizimin e grevës së përgjithshme para skadimit të afatit gjashtëmujor për harmonizim të pagës minimale, për të cilën arsyeja është avancimi, e jo shkelja e punëtorëve është manipulim i vrazhdë që i vë në pozitë mashtruese grevistët.

Në pajtim me Ligjin për marrëdhënie pune dhe Marrëveshjet kolektive për arsim të fillor dhe të mesëm, si dhe për punonjësit e institucioneve publike për përkujdesje dhe edukim të fëmijëve të moshës parashkollore, përderisa organizohet grevë në periudhë të harmonizimit të pagës minimale, konsiderohet se ka të bëj me avancimin e të drejtave të punonjësve që janë në grevë. Për këtë shkak, zgjidhja ligjore dhe vendimi në përputhje me marrëveshjen kolektive përcakton pagesë vetëm të kontributeve të pagave.

Sindikata, mësimdhënësit, edukatorët dhe mësuesit kujdestarë duhet të kenë besim te institucionet, pasi që si më parë, rritje të pagave edhe në arsim dhe mbrojtjen e fëmijëve do të ketë, siç ka pasur në 5 vitet e fundit. Tani ofrohet rritje prej 10%, që do të sigurohen me rebalancin e Buxhetit. Kjo do të thotë se mësimdhënësit dhe edukatorët do të kenë rritje mesatare prej 2500 denarë në të ardhurat e tyre mujore. Është ofruar edhe një metodologji me të cilën Qeveria do të sigurojë rritje të vazhdueshme të pagave dhe zgjidhje të përhershme të statusit social të të punësuarve në arsim.

Më parë, përmes një dialogu partneriteti, u arrit rritje e pagave të mësimdhënësve dhe punonjësve në kopshte për 21%. Me këtë rritje, paga e arsimtarit/arsimtares në arsimin fillor është rritur për mbi 3.200 denarë plus përvoja e punës dhe tani është së paku 24.786. Për arsimtar/arsimtare në arsimin e mesëm rritja është mbi 4.300 denarë plus përvoja e punës dhe mesatarisht paga është 25.874. Edukatoreve në kopshte paga u është rritur për rreth 6.400 denarë plus përvoja e punës, ndërsa mësuesve kujdestarë për rreth 5.000 denarë.

Qeveria konsideron se është e papërgjegjshme edhe përkundër zgjidhjes së ofruar për rritje të pagave në arsim dhe mbrojtjen  dhe edukimin e fëmijëve, të vazhdohet me grevë dhe të dëmtohet procesi arsimor tanimë i krijuar në kushte kur po përballemi me krizë ekonomike, sociale dhe shëndetësore. Interesin më të mirë të fëmijëve duhet ta kemi në vend të parë, sepse e drejta e arsimit të çdo fëmije është e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Nxënësit duhet të kthehen në shkollat, atje  ku bëjnë pjesë.