Janë publikuar rezultatet e gjysmë-maturantëve të cilët kanë aplikuar në afatin e parë të regjistrimit në shkollat e mesme. Interesimi për drejtimet profesionale është rritur dukshëm, megjithatë, gjimnazi mbetet më joshës. Nga 500 aplikime, në gjimnazin Zef Lush Marku kushtet i kanë plotësuar vetëm 321 nxënës ndërsa të lira mbeten edhe 220 vende. Xhevdet Shabani, profesor në shkollën profesionale Vllado Tasevski thotë se nxënësit që nuk arrijnë të pranohen në afatin e parë në gjimnaz, pastaj orientohen kah drejtimet profesionale, që sipas tij, janë drejtime mjaft të leverdishme dhe me perspektivë.
Zakonisht është vështirë në afatin e parë të kuptojnë nxënësit por edhe prindërit që fëmijët e tyre t’i orientojnë në shkollat e mesme profesionale. E dimë se gjimnazi Zef Lush Marku ka fluksin më të madh të nxënësve në afatin e parë, ndërsa ata të cilët nuk regjistrohen pastaj vijnë tek shkollat e mesme profesionale dhe besoj se nuk gabojnë”- theksoi – Xhevdet Shabani, profesor në shkollën “Vllado Tasevski”
Në shkollën e mesme profesionale “8 Shtatori” kanë mbetur edhe 110 vende të tjera të lira për afatin e dytë dhe të tretë.
Nëse bëjmë krahasim me vitin e kaluar, duke marr parasysh se jemi në afatin e parë, ne jemi të kënaqur. Nuk është arritur maksimalja por krahasuar me vitin e kaluar, duke e pasur parasysh se në vitin e kaluar gjatë 3 afateve kemi pasur numër të përgjithshëm të nxënësve këtë numër që e kemi arritur tash shpresoj se afatin e dytë dhe të tretë do të ketë interesim më të madh.- u shpreh Vullnet Iseni- ndihmës drejtor në shkollën e mesme profesionale“8 Shtatori”.
Në shkollën e mesme profesionale Maria Kiri Skllodovska janë pranuar 213 nxënës, ndërsa mbeten edhe 59 vende të lira për afatet e tjera në 4 profile të ndryshme arsimore, Teknologji ushqimore, teknik për ruajtjen e ambientit, teknik për prodhime kimike dhe kozmetike si dhe teknik medicinal-përkujdesës. Rezultatet përfundimtare për afatin e parë do të shpalosen të enjten nga Ministria e Arsimit. Nga 35 690 vendet e parashikuara në konkursin e Ministrisë së Arsimit, 24 581 do të jenë me mësim në gjuhën maqedonase, ndërsa 10 123 me mësim në gjuhën shqipe. Afati i dytë është më 24 dhe 25 qershor, ndërsa afati i tretë është më datë 1 korrik. Rezultatet do të publikohen më datë 2 të të njëjtit muaj.
ALSAT-M