Tanimë është zyrtare: Sony tregon çmimin dhe datën e daljes në shitje të PS5

Sony ka bërë të ditur se PlayStation 5 do të fillojë me 399.99 dollarë dhe del në shitje më 12 nëntor në SHBA.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Sony PS5 do të konkurrojë drejtpërdrejt me konsolat e lojërave të Microsoft, Xbox Series X dhe Series S.

Siç bëhet e ditur, edicioni dixhital PS5, i cili nuk ka një disk, do të kushtojë 399,99 dollarë. Ndërkohë që versioni “i rregullt” i konsolës do të kushtojë 499,99 dollarë.

Në anën tjetër, Microsoft njoftoi në fillim të këtij muaji se Xbox Series X dhe Xbox Series S do të dalin në shitje më 10 nëntor për 499 dollarë dhe 299 dollarë, respektivisht.

Në shkrimin e publikuar nga CNBC, thuhet se Sony po përdor një strategji të ngjashme me atë të Microsoft.

Kjo pasi që do të lansojë një PS5 të rregullt me disk dhe një Edicion Digital PS5 që mundet vetëm të shkarkojë dhe të transmetojë lojëra.

Sony tha që PS5 do të lansohet në SHBA, Kanada, Japoni, Meksikë, Australi, Zelandën e Re dhe Korenë e Jugut më 12 nëntor dhe në “pjesën tjetër të botës” më 19 nëntor.

Ndërsa sa i përket Kinës, Sony tha se “data e fillimit për Kinën është akoma në kërkim dhe do të shpallet në një datë të mëvonshme”.