Mania e FaceApp: Kush është kompania ruse që merr në dorë fotot tona

Mania e fotove me portret prej gjyshi ka pushtuar rrjetet sociale. Faceapp Challenge është aplikacioni që u shton vite fytyrave tona në foto. Inteligjenca artificiale modifikon tiparet e fytyrave tona në një mënyrë pothuajse natyrale dhe kjo duket se është sekreti i suksesit të saj. Rreth 80 milionë njerëz e kanë shkarkuar në smartfonin e tyre këtë aplikacion që nga janari 2017.

Megjithatë, ajo që shumë prej nesh mund të mos dinë është pikëpyetja që ngrihet në lidhje me përdorimin e të dhënave tona në momentin që ne e shkarkojmë aplikacionin nga dyqanet virtuale.

Ku përfundojnë fotot tona?

Në momentin që ne ngarkojmë një foto në Faceapp, ajo fillimisht kalon në serverat e kompanisë ruse Wireless Lab OOO, me seli në Shën Petërburg. “Për të gjeneruar filtrat, si ai që të plak fytyrën, përdoren rrjete gjeneruese që duhet të kalojnë në kompjutera të fuqishëm”, thonë ekspertët. Pra, potenciali i një smartfoni nuk mjafton. Cila është prova për këtë? “Nëse vendos opsionin aereo, aplikacioni nuk funksionon dhe të sinjalizon se duhet të lidhesh me internetin. Kjo provon se fotoja jote shkon direkt në serverat e kompanisë”, thotë Luca Sambucci, ekspert IT në kompaninë “Eset”, në Itali.

Në këta servera, fotot tona mbeten të arkivuara për një kohë të pacaktuar. Por mund të mbeten aty edhe përgjithmonë, pasi kompania e themeluar nga Yaroslav Goncharov nuk deklaron se për sa kohë do t’i ruajë në arkivat e saj.

Faceapp e ka deklaruar bazën e saj në SHBA. Në Google Play referohet si adresë Wilmington, qytet në Dealware (një nga parajsat fiskale në SHBA), ku kompania imobiliare Regus mbështet “zyrat virtuale” të sipërmarrjeve të huaja.

Pra, pa pasur një tryezë pune, por vetëm një kuti postare. Sipas Sensor Tower, një kompani që bën analiza të tregut, vetëm në qershor 2019 Faceapp u shkarkua 400 mijë herë dhe gjeneroi të ardhura në masën 300 mijë dollarë.

Përkundër rregullave evropiane

Nëse serverët do të ishin me të vërtetë në Shtetet e Bashkuara, Faceapp do të duhej të shqetësohej për Mbrojtjen e Privatësisë (Privacy Shield), pra marrëveshja midis Uashingtonit dhe Bashkimit Evropian për të mbrojtur edhe jashtë shtetit të dhënat e shtetasve evropianë sipas rregullave të GDPR (rregullorja europiane për mbrojtjen e të dhënave personale). Por kjo nuk përmendet, çka do të thotë se janë zero garancitë për qytetarët evropianë që mund të bëjnë ankesë.

Duket se në Shën Petërburg nuk e kanë kuptuar ende se GDPR ka hyrë në fuqi në 25 maj 2018. “Rregullorja ka një zbatim të veçantë: nëse supozohet se shërbimi ofrohet në territorin evropian, zbatohet” , shpjegojnë ekspertët italianë. Por Faceapp nuk ka ndryshuar asgjë lidhur me privatësinë që prej 20 janarit 2017.

Në këtë mënyrë, aplikacioni shkel nenin 3 të GDPR, i cili parashikon shtrirjen e rregullores edhe për ato trajtime të kryera nga një mbajtës jo i vendosur në Bashkimin Europian, i cili megjithatë, ka të bëjë me furnizimin e mallrave ose shërbimeve për ata që janë të interesuar në Union, ose që monitorojnë sjelljen e tyre.

Më shumë sesa një foto

Referencat për privatësinë janë të pakta. “Ndër gjërat më të dukshme, nuk është e qartë se deri në çfarë mase dhe me cilat kompani i ndajnë të dhënat (duke iu referuar një grupi) dhe nuk është e qartë se ku janë ruajtur”, vërejnë ekspertët ligjorë.

Wireless Lab OOO mbledh shumë të dhëna. Ai përdor jo vetëm fotografitë e përdoruesit që kanë shkarkuar aplikacionin, por edhe dosjet multimedia të Whatsapp-it, që do të thotë se edhe fotot e dikujt tjetër që nuk e ka këtë aplikacion janë të rrezikuara.

Aplikacioni mund të mbledhë të dhëna në faqet e internetit të vizituara, fut web beacon (imazhe të vogla zakonisht prej 1 piksel me 1, për të monitoruar sjelljen e një personi që lundron në internet) dhe të dhëna të tjera. Përfundimisht mund të ketë në dorë të dhëna për vendndodhjen e secilit përdorues. Nuk ka një mënyrë për ta shmangur këtë, pasi kur shkarkohet aplikacioni nuk kërkohet pëlqimi i përdoruesit.

Faceapp e ndan të gjithë informacionin me ata që i quan “bashkëpunëtorë” dhe “ofrues të shërbimeve”, d.m.th. kompani të tjera në grupin rus ose palë të treta. Por nuk është e mundur të dihet se kush janë këto subjekte, me të cilët kompania shkëmben të dhëna, ose se kujt mund t’ia shesë ose t’ia transferojë ato, nëse ajo dështon dhe mbyllet. (TemA TV)