APPLE/ Studion syzet që u japin më shumë privatësi iPhone-ëve

Kompania ”Apple” po studion shumë mënyra për t’u dhënë përdoruesve të iPhone më shumë privatësi në vende publike.

Zyra amerikane e patentave ka publikuar dokumentin me të cilin gjiganti amerikan përshkruan një teknologji që do t’u ofronte pronarëve të iPhone mundësinë për të errësuar ekranin dhe për ta bërë atë të padukshëm për të tjerët.

Vetëm duke mbajtur një palë syze të përputhshme, ndoshta duke filluar nga Apple Glass që pritet që në vitin 2022 sipas parashikimeve më të fundit të Bloomberg, mund ta shikoni ekranin.

Sipas patentës, funksioni i syzeve të privatësisë njeh fytyrën e përdoruesit që ndodhet përpara, përmes Face ID, për ta bërë panelin e telefonit të turbullt ose plotësisht të zi, në varësi të cilësimeve të zgjedhura gjatë fazës së konfigurimit.

Në atë moment, vetëm syzet me një lente të veçantë do të mund ”të përkthenin” atë që kalon në iPhone, duke filtruar zhurmën e sfondit.