NASA ka publikuar disa imazhe që tregojnë se çfarë po i bën Vladimir Putini gazit që nuk e dërgon në Evropë: po e djeg. Tymi është parë edhe nga Finlanda, sipas televizionit finlandez “Yle”.
Këto fotografi do të zbulonin, siç botohet nga gazeta “Yle Uutisten”, flakët në stacionin e kompresorit të Gazprom në Portova, pikënisjen e gazsjellësit Nord Stream I dhe origjinën e shërbimit të transportit në Gjermani, tashmë të reduktuar në pothuajse 20%.
Mediat finlandeze tregojnë se flakët u panë për herë të parë më 17 qershor, vetëm tre ditë pasi rrjedhat e gazit nga tubacionet u ulën me 40%. Të dhënat nga NASA kanë zbuluar se zjarre më të mëdha janë zbuluar vazhdimisht në stacionin Nord Stream 1, që kur u ndërprenë furnizimet në Gjermani.Mungesa e gazit po fillon të ndihet, Gjermania fik dritat dhe “mbyll” rubinetin e ujit të ngrohtë.
Sipas ministrit të Energjisë së Ukrainës, Herman Galushchenko, procese të tilla tregojnë se sanksionet perëndimore vazhdojnë të vendosin në pozitë të vështirë rusët. “Në vend që të fitojnë miliarda euro nga furnizimet, rusët janë të detyruar thjesht ta djegin gazin”, postoi ai në Facebook.
Për më tepër, ai pohoi: “Shantazhuesit tashmë po ndjejnë dëmin dhe periudha kohore në të cilën ata ende mund të diktojnë kushtet e tyre po zvogëlohet me shpejtësi. Perëndimi duhet të ruajë regjimin e sanksioneve dhe ta forcojë më tej atë”.
Përpara datës së kufizimit të parë të furnizimit me gaz, NASA nuk kishte regjistruar zjarre të rregullta në stacionin e kompresorit. Që atëherë, numri dhe madhësia e flakëve kanë ndryshuar. Nga Finlanda akuzojnë Rusinë për djegien e gazit që nuk e dërgojnë në Evropë si pasojë e luftës në Ukrainë. Deri më tani, Rusia nuk ka komentuar mbi këtë, por nëse po djeg apo jo furnizimet e veta, e vërteta është se fluksi që ajo dërgon në “Kontinentin e vjetër” është reduktuar shumë, duke kompromentuar vjeshtën dhe dimrin e pothuajse të gjithë Evropës.