KOVIDI/ 11 fëmijë në Kozle që nga fillimi i shkollës

Në Spitalin për Fëmijë Kozle, që nga fillimi i vitit shkollor janë hospitalizuar 11 fëmijë të moshës prej 9 deri në 16 vjeç, thekson drejtori I këtij spitali Besnik Zeqiri. Pacienti më i vogël me Covid në këtë spital, është foshnje 1 muaj e gjysmë. Zeqiri thotë për TVM se gjendja e pacientëve të vegjël është stabile.

“Tek fëmijët e vegjël, Delta paraqitet me simptoma gastrointestinale që nuk janë vetëm simptoma të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes. Në princip ata vijnë me temperaturë, me kollitje, por gjithashtu tek fëmijët më të rritur paraqiten edhe simptomat gastrointestinale. Pacienti më i vogël me Covid është 1 muaj e gjysmë dhe është në mbikëqyrjen tonë tanimë 5 ditë, është në gjendje stabile. Kemi 4 fëmijë me oksigjen.”,- deklaroi drejtori i Spitalit të Fëmijëve Kozle, Besnik Zeqiri.

Ministri i Shëndetësisë në dorëheqje, ka takuar drejtorët e klinikave për t’u njoftuar me situatën në spitale.

Filipçe thotë se ka mjaftueshëm shtretër të lirë për pacientë të hospitalizuar, por vlerëson se virusi për momentin ka infektim të gjerë. Nëse ka nevojë për masa shtesë, do të merren thotë ai.

Vazhdon procesi i vaksinimit, më i lartë numri i vaksinimeve te mosha mbi 40 vjeç

Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë ndërkohë se vaksinimi zhvillohet pa ndërprerë në të gjitha pikat e vaksinimit dhe në terren.

Sipas të dhënave të fundit, janë vaksinuar gjithsej 761.579 qytetarë, vetëm të martën 13.493. Me shifrat e fundit, 54 % e popullatës mbi 40 vjeç dhe 30 % e popullatës mbi 18 deri 39 vjeç , janë vaksinuar me një doze të vaksinës.