KOVID-19/ Shfuqizohen gjitha masat restriktive

Komisioni i Sëmundjeve Infektive në Maqedoninë e Veriut rekomandoi heqjen e të gjitha masave kufizuese për përballjen me Covid-19, përveç mbajtjes së detyrueshme të maskave në objektet shëndetësore, farmaci, transportin publik dhe shtëpitë e të moshuarve. Kjo përfshin edhe kufizimet apo kushtet për hyrje në bare dhe restorante, apo edhe objekte të tjera.
Disa ditë më parë ishte vendosur për hapjen e kufijve pa kushte dhe u vendos heqja e maskave gjithkund përveç në spitale, shtëpi të të moshuarve, transport publik dhe farmaci.
Komisioni apelon tek qytetarët që të respektojnë rekomandimet për mbrojtje dhe higjienë personale, si larja e shpeshtë e duarve, dezinfektimi dhe mbajtja e distancës.
Komisioni rikujton se vaksinimi mbetet masa më e mirë dhe më efektive për mbrojtjen e shëndetit të popullatës dhe kujton se në rast nevoje, mund të kthehen kufizimet.