Një studim ka dalë në përfundimin se pirja e kafesë mund të rrisë rrezikun e kancerit, por vetëm nëse është shumë e nxehtë. Shkencëtarët mendojnë se kjo është për shkak se lëngjet e nxehta dëmtojnë indet në ezofag i njohur gjithashtu si tub ushqimor. Ekspertët këshillojnë njerëzit që të presin që filxhanët e tyre me kafe ose çaj të ftohen para se t’i pinë.
Kafeja është një nga pijet më të konsumuara në mbarë botën, por ka pasur prova të përziera për efektet e saj në shëndet. Disa studime tregojnë se pija zvogëlon shanset për t’u prekur nga kanceri, ndërsa disa të tjera kanë zbuluar të kundërtën.
Ekspertët e Universitetit të Kembrixhit kanë krahasuar gjenet e mbi 360,000 njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar dhe Finlandë dhe kanë studiuar rrezikun e zhvillimit të 22 llojeve të kancerit për 11 vjet.
Të dhënat zbuluan se njerëzit që konsideroheshin gjenetikisht më të prirur për të pirë kafe, kishin gati tre herë më shumë gjasa të zhvillonin kancer të ezofogut. Sipas mjekëve që morën pjesë në studim arsyeja më e mundshme për lidhjen midis pirjes së kafesë dhe kancerit të ezofagut është se derdhja e lëngut të nxehtë në fyt po shkakton dëme.
Shkencëtarët mendojnë se kur qelizat në tubin e ushqimit digjen nga pijet e nxehta, kjo gjeneron inflamacion që dëmton gjenet, duke shkaktuar kancer.