TEUTA BUÇI/ Greva vazhdon

Qeveria po e humb betejën me sindikalistët e arsimit. Në të vërtetë, gjithë ky mllef i mësimdhënësve nuk është aq për pagat sa është për dinjitetin e tyre. Ata po kërkojnë me ngulm rikthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur. Dinjitetit të tërhequr zvarrë ndër vite të mësimdhënësit, profesorit, artistit, piktorit, zjarrfikësit, mirëmbajtësit të higjienës dhe gjithë punëtorëve dhe qytetarëve.

Dhe gjithë ata që po e relativizojnë grevën duke bërë ndërlidhje me cilësinë e arsimit, nuk qëndrojnë argumentet. Edhe për cilësinë e arsimit përgjegjëse janë qeveritë e deritanishme. Çdo vit i ndryshojnë programet arsimore, pa kushte, pa mjete, pa materiale. Mos të flasim për shkollat. Është e padrejtë të akuzojmë (vetëm) mësimdhënësit për sistemin e dështuar arsimor. Një mësimdhënës që të jetë i suksesshëm në punën e tij duhet t’i ofrohen kushte e sistem i shëndoshë arsimor. Është shumë lehtë të jepen kritika nga zona e komfortit. Prindërit ankohen vazhdimisht, por prindërit nuk i mendojnë këto gjëra kur ndodhen para kutisë së votimit. Madje, shumica nuk u drejtohen fare kutive të votimit pasi nuk u intereson se çfarë ndodhë rreth e përçark tyre në shoqëri.