Sa dhe si duam të ndryshojmë!

Shkruan: Hamim M. Çilafi

05.07.2022

Fjalë që shpesh e dëgjojmë dhe sikur të gjithë e presim është fjala”ndryshim”, por si duket vetëm presim nga të tjerët, por jo edhe nga vetja jonë!

Pothuajse gjithmonë një pjesë e madhe e njerëzve këtë ndryshim e kërkojmë në vetën e 3-të, pavarësisht në njëjës, apo shumës, fatkeqësisht!

Dëgjojmë parulla të ndryshme të llojit: duhet bërë kjo e ajo, por shpesh sërish gishti tregues i drejtuar tek tjetri. Përderisa pothuajse gjithmonë një kategori njerëzish presin ndryshim nga të tjeret, d.m.th se ata/ato aspak nuk janë për ndryshim, pasi që në vetvete s’kanë ndryshuar asgjë.

Historikisht, të gjithë popujt kanë ndryshuar diçka, por të kuptohemi ndryshimi më i madh nis tek vetja, edhe atë duke u edukuar dhe arsimuar në frymën më të mirë, dhe duke udhëtuar, pasiqë udhëtimet janë shumë të rëndësishme në jetën e njeriut, kuptohet për ata që marrin mësimin e duhur nga këto udhëtime. Njeriu është qenie shumë komplekse dhe e ndërlikuar, ka shumë njerëz që thonë: “jo unë nuk ndryshoj, jam ai ujku i vjetër”, etj, por në fakt të gjithë njerëzit ndryshojmë, kush më pak e kush më shumë, varësisht nga jeta dhe rrethanat që bëjmë, dhe nga ana tjetër nga vetë dëshira jonë personale për ndryshim, kuptohet.

Në filologji thuhet se edhe gjuhët kanë pësuar ndryshime dhe po pësojnë vazhdimisht, të mos shkojmë më larg, por të marrim gjuhën tonë shqipe, dhe se një albanolog, apo një studiues i gjuhës shqipe e di shumë mirë se sa gjuha jonë ka pësuar ndryshime, nga ana tjetër se sa barbarizma (shtrembërime dhe huazime të fjalëve) pa nevojë i bëhen asaj, mjerisht.

Njeriu lind si foshnje, rritet dhe zhvillohet dhe varësisht se ku rritet, frymëzohet dhe ashtu edhe edukohet, për dallim nga ca individë që marrin një edukatë individuale, dhe që nuk u imponohen nga familja dhe shoqëria. Dëgjojmë shpesh se ai/ajo ka prindër të edukuar dhe nga ata, ai apo ajo është e “edukuar”, po për mendimin personal kjo ndikon shumë, por jo gjithmonë është kështu pasiqë kemi edhe të rinj e të reja që nuk rrjedhin nga familje të shkolluara, apo që kanë një edukatë, apo miresjellje të mirëfilltë, por ja që fëmijët e tyre edukohen dhe arsimohen në një frymë krejtësisht ndryshe nga të parët e tyre. D.m.th këtu ndikon shumë “vetëdija personale”, (ju lutem mos t’ua hedhim fajin çdoherë prindërve, e të tjerëve) ku ka dhe njerëz që nuk ndikohen nga paraardhësit e tyre edhe pse janë gjenetikisht të lidhur. Gjenetika e njeriut nuk e bën njeriun që të jetë 100 % i njejtë me të parët e tyre, por kjo ndikon që në fizionomi të ngjajmë me prindërit, por pjesa tjetër, si kultura, edukata, karakteri, arsimimi, emancipimi, janë krejtësisht diçka tjeter, kjo është personale dhe ngapak diçka kolektive (e shoqërisë). Prandaj, dhe njeriu ka evoluar vazhdimisht duke marrë vazhdimisht diçka të re.

Në civilizimet perëndimore, njerëzit e edukuar nuk i pyesin të tjerët me pyetjet: pse, si, çka, kur, etj, pyetje që shpeshherë duken banale, por ata i gjejnë vetë përgjigjet pasiqë lexojnë shumë (rriten), dhe njerëzit që parashtrojnë shumë pyetje dhe gjithmonë i përsërisin të njejtat pyetje, më tragjikja është që nuk presin përgjigjen nga tjetri, d.m.th se punojnë pak, nuk lexojnë dhe pothuajse gjithmonë presin gati nga të tjerët (janë parazitë).

Një fjalë e urtë e psikologut, filozofit dhe artistit marcial, Bruce Lee thotë:

“të dish diçka nuk mjafton, ne patjetër ta realizojmë atë.

Të dëshirosh diçka, nuk mjafton, ne patjetër duhet vepruar”.

Të gjithë njerëzit e urtë e të mëdhenj kanë lexuar shumë, në përjashtim të profetëve, të cilëve “dituria” iu ka ardhur nga burimi (Zoti), përmes engjujve dhe njerëzit që nuk lexojnë dhe shtiren sikur i dinë të gjitha, këta njerëz janë pikërisht “kryelartët” dhe injorantët më të mëdhenj të kohës së sotme, andaj dhe keni kujdes të mos shoqëroheni me njerëz të tillë, se herët a vonë do të ndikoheni nga frekuencat dhe vibrimet e tyre injorante, djallëzore, ndoshta dhe psikopatike e sociopatike. Jo rastësisht një dijetar vietnamez ka thënë:

“njeriu i paaftë, është i paaftë që ta kupton se është i paaftë”.

Dhe, ja ku jemi sot ne si shoqëri, na sundojnë harbutët, të pamoralshmit, të paaftit dhe idiotët, pikërisht këto që supozohet të na udhëheqin për një jetë më të mirë e të mirëqenë, e jo të sundojnë duke shkelur çdo parim njerëzor e moral, pasi që sundojnë vetëm diktatorët, por tani fatkeqësisht në “demokraci” kështu po funksionon!

Gjithçka fillon nga mendimi, nëse mendimi është i mirë dhe pozitiv dhe në të njejtën kohë vazhdon ta zbatosh atë mendim duke mos qenë egoist, atëherë patjetër dhe rezultati do të jetë pozitiv, domosdoshmërisht.