Ernest Koliqi, 116-vjetori i themeluesit të tregimit modern shqiptar

Ernest Koliqi lindi në Shkodër, më 20 maj 1903 dhe vdiq në Romë, më 15 janar 1975. Koliqi ishte mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, ministër arsimi në qeverinë Vërlaci, botues dhe pedagog. Cilësohet bashkë me Mitrush Kutelin, si bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar sa i përket krijimtarisë, ndërsa në punët politike e arsimore ka meritë për dërgimin e 200 arsimtarëve në trojet e Shqipërisë së Lirueme.

Pas mësimeve të para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve, i ati e dërgoi për të studiuar në Itali më 1918. Së pari në kolegjin jezuit “Cesare Arici” në Breshia dhe pastaj në Bergamo. Bashkë me nxënës të tjerë hap gazetën “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”), ku boton poezitë e para në italisht. Kthehet në Shqipëri pas Kongresit të Lushnjës, mëson shqipen dhe falë njohjes me Luigj Gurakuqin njihet me rininë premtuese: Thaçi, L. Ashiku, Shuk e Karl Gurakuqi, Dom Shantoja, Kolë e Gjon Kamsi.

Më 1921 mbahet një konkurs për himnin kombëtar, ku Ernesti merr pjesë me një poezi e cila fitoi çmimin e parë, të dhënë nga juria e përbërë prej Fishtës, Nolit, Frashërit e Gurakuqit.

Në mars-prill merr pjesë si përfaqësues i shoqërisë kulturore “Rozafa” në një mbledhje me Zef Harapin nga shoqëria “Bogdani” dhe P. Harapin në takimin që formoi grupimin “Ora e Maleve” nën dorën e Imzot Mjedjës. Mbas Lëvizjes së qershorit, Gurakuqi e thërret në Tiranë si sekretar personal. Aderon në shoqërinë “Bashkimi”. Kalon më pas si sekretar në min. e Mbrendshme, ku ministër ishte kol. Shala.

Me Triumfin e Legalitetit shtrëngohet të dalë në mërgim. Doli në veri drejt Mbretërisë SKS, ku studion gjuhën dhe kundron letërsinë serbo-kroate. Qëndron për dy vjet në Tuzla të Bosnjës. Më 1928 gjendet në Bari të Italisë mes Omarit, Pecit, Sheh Karbunarës dhe Kostë Paftalit. Në Zara të Dalmacisë botoi edhe përmbledhjen e parë me novela më 1929 ku ishte edhe miku i tij në ideale e në punë gjuhe, Mustafa Kruja.

Kthehet në atdhe dhe nis punë si mësues në Shkollën Italiane Tregtare në Vlorë dhe më pas në Gjimnazin e Shkodrës (1930-’33), ku mes të tjerëve do t’iu jepte mësim Petro Markos dhe Lazër Radit.

Më 1933 jep dorëheqjen nga mësimdhënia për të nisur studimet universitare në Padova. Gjatë periudhës 1934-’36 ishte pjesëtar i grupit botues të të përkohshmes “Illyria” e Totos ku do të botonte poemthin në prozë Quattuor. Në po të njëjtën të përkohshme më 1935 do të zbulohej Migjeni me vjershën “Të lindet Njeriu” me nxitje të Koliqit.

Më 1936 e emërojnë Lektor të Shqipes në katedrën e Albanologjisë të drejtuar nga gjuhëtari Tagliavini. Më 1937 doktoron po në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqipe”) falë mbledhjeve që kishte bërë P. Palaj, tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si Jokli, Lambertz etj. Transferohet nga Padova në Romë tetorin e 1937 si lektor i shqipes.

Më 1939 hapet në Universitetin Shtetëror të Romës Selia e Albanologjisë, ku Koliqi emërohet ordinar dhe qëndron i tillë derisa doli në pension. Ndërprerja e vetme disi e gjatë qe kur u emërua ministër Arsimi në vjetët 1939-’41.

Burimi: mapo.al