Botohet vëllimi i tretë i studimeve të albanologut Norbert Jokli

Këto ditë doli nga shtypi vëllimi i tretë i studimeve të albanologut austriak Norbert Jok, botim i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës . Në këtë vëllim janë përfshirë hulumtime linguistike-kulturo¬historike në fushë të shqipes/Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen, përkthyer nga gjermanishtja nga dr. Skënder Gashi dhe përgatitur nga R. Ismajli e H. Eichner, me parathënie nga R. Ismajli (759 f). Botimi përmban përkthimin e tekstit të plotë shqip dhe origjinalin në formë anastatike gjermaBotohet vëllimi i tretë i studimeve të Norbert Joklitnisht.

Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademi së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në programin e punës të tash e disa viteve ka projektin afatgjatë të botimit të veprës së plotë të albanologut austriak Norbert Jokl.

Botimi i studimeve të Joklit vjen në vazhdën e botimeve të veprave të albanistëve të traditës, me të cilat ky seksion i ASHAK-ut merret tash e gati tri dekada dhe ku një vend të veçantë u takon albanologëve europianë e botërorë. Midis tyre, gjithsesi, në radhë të parë shquhet austriaku Norbert Jokl, vepra e të cilit vlerësohet te majat e këtyre studimeve, andaj dhe angazhimi për të paraqitur të plotë veprimtarinë e tij është i gjerë dhe i gjithanshëm.

Studimet e tij të gjysmës së parë të sh. XX janë botuar gjermanisht, prandaj në kulturën tonë albanistike kanë qenë të njohura kryesisht ndërmjetshëm. Disa studime të tij janë përkthyer e botuar shqip në organet albanologjike. Kjo është hera e parë që po ndërmerret një paraqitje e plotë dhe sistematike e kësaj vepre në gjuhën shqipe. Për nevoja të brendshme të Instituti të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë disa prej veprave të Joklit ishin përkthyer, por nuk ishin botuar. Në vitin 2011, me lejen e Drejtorisë së QSA-së në Tiranë, u botua vepra e parë e rëndësishme e Joklit, Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin shqip / Studien zur Albanesischen Etymologie und Wortbildung, me përkthim të Eqrem Çabejt që ishte bërë shumë herët, por flinte në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Bashkë me përkthimin u botua në formë anastatike dhe origjinali gjermanisht bashkë me shënimet e Joklit anash që botoheshin për herë të parë. Ky botim ishte përgatitur nga R. Ismajli (433 f.).

Vëllimi me Studime krahasuese për gjuhën shqipe / Historich-Vergleichende untersuchungen über das Albanische, përgatitur nga R. Ismajli dhe H. Eichner, anëtar korrespondent i Akademisë Austrikake të Shkencave, ku përfshihen 18 studime të shpërndara  nëpër revista e organe të ndryshme dhe të përkthyera shqip nga S. Gashi, E. Çabej, A. Krajni, A. Dhrimo, E. Lika, G. Lafe, T. Dani, me parathënie nga R. Ismajli e me riprodhime anastatike të origjinaleve tashmë të rralla, doli më 2017 (941 f.).

Këto ditë doli nga shtypi vëllimi i tretë i studimeve të Norbert Joklit,  Hulumtime linguistike-kulturo¬historike në fushë të shqipes/Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen, përkthyer nga gjermanishtja nga dr. Skënder Gashi dhe përgatitur nga R. Ismajli e H. Eichner, me parathënie nga R. Ismajli (759 f). Botimi përmban përkthimin e tekstit të plotë shqip dhe origjinalin në formë anastatike gjermanisht. E botuar më 1923, kjo është kryevepra e albanologut austriak Norbert Jokl  dhe ka rëndësi të dorës së parë për studimet etimologjike dhe gjuhësore-kulturore për aspektet më të ndryshme të kulturës tradicionale shqiptare dhe është e domosdoshme për të gjithë ata që merren me etimologjinë, historinë e gjuhës shqipe, me raportet e saj me gjuhët ballkanike dhe përgjithësisht me kulturën shqiptare tradicionale.

Norbert Jokl, i lindur më1877 në Bzenec të Moravisë Jugore, studioi dhe u doktorua në jurispondencë. Në moshën 25 vjeçare vazhdoi studimet e rregullta për gjuhësi të krahasuar, idoeuropiane, sllave, gjermanike dhe romane. Punoi një kohë në bibliotekën e Universitetit të Vjenës dhe paralelisht mbajti ligjërata për gjuhësi fino-ugriane dhe filologji sllave-baltike-shqiptare. Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Rumanisë dhe të Danimarkës dhe u dekorua nga mbreti Zog me urdhrin e Skënderbeut. Me gjithë përpjekjet e miqve dhe kolegëve të tij austriakë, shqiptarë e italianë për ta shpëtuar, N. Jokli nuk arriti t’u shmangej përndjekjeve naziste të hebrenjve dhe u vra në vitin 1942.

Kontributi i Joklit për studimet shqiptare është me peshë të veçantë: në studimet e fonetikës historike dhe të vendosjes së kronologjive relative të ndryshimeve fonetike, në studimet e morfologjisë historike, në fushën e historisë së fjalëve dhe të etimologjisë, dhe përgjithësisht në fushën e historisë së gjuhës. Janë veçanërisht të rëndësishme studimet e tij për raportet e shqipes me gjuhët e lashtësisë dhe me gjuhët fqinje më vonë, me greqishten e lashtë, me latinitetin ballkanik, me rumanishten e gjuhët romane, me gjuhët sllave të jugut, me greqishten e re, etj. Studimet e tij për gjuhët e Ballkanit të lashtë (për ilirishten, për trakishten, etj.) kanë vlerë në shumë aspekte edhe sot.

Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ASHAK-ut parashikon ta përmbyllë botimin e veprës së Norbert Joklit me një vëllim të katërt, ku do të përfshihen studimet që nuk janë përfshirë në këto vëllime.

Ky seksion deri tash i ka botuar në gjuhën shqipe studimet e plota të albanologëve Holger Pedersen, Waclav Cimochowski, Franc Miklošič, Rajko Nahtigal, të veprave të zgjedhura të Eric P. Hamp, të Leonardo Savoia, të Irena Sawicka, ndërsa gjermanisht të Wilfried Fiedler, etj. Seksioni po ashtu ka botuar dhe veprat e plota të Idriz Ajetit, të Selman Rizës dhe veprat e zgjedhura të Eqrem Çabejtë, të Ibrahim Rugovës, etj.

Në këtë mënyrë me kohë ky Seksion synon të sjellë para publikut albanistik veprat më të rëndësishme të traditës albanistike, duke ndihmuar formimin e një fondi themelor të këtyre studimeve, të nevojshme për publikun shkencor dhe për publikun tjetër.

Burimi: illyriapress.com