Schoolture TV

Dritare kulturore për të rinjtë

U hap Edicioni i 59-të i Festivalit „Vera e Ohrit“.

Në Teatrin Antik në Ohër u hap Edicioni i 59-të i manifestimit të rëndësishëm muzikor skenik në vend, Festivali „Vera e Ohrit“.

Publikun e shumtë, mysafirët dhe artistët, kreun politik të vendit i përshëndeti ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, i cili nënvizoi se në Teatrin Antik ku edhe para dy mijë vitesh ishte përhapur arti, shtoi se artistët e sotëm të cilët përballen me sfidat e reja të kohës bashkëkohore, me krenari i vazhdojnë traditat, i thyejnë tabutë, i tejkalojnë paragjykimet, dhe në gjuhën më universale të njerëzimit thonë – “arti është liria”.

„Ata edhe këtë vit do t’i ndeshin konceptet e tyre që mbase do të shkaktojnë polemika, por gjithsesi do të hapin botëkuptime të reja, dhe përsëri do të sjellin freski në Ohrin tonë, i cili gjithnjë është organizator i mirë dhe i denjë dhe i cili përherë na përkujton se ky vend është fener i spiritualitetit, i eliksirit hyjnor që kultura dhe arti e ofrojnë“, tha ministri Ismaili.

Duke folur mbi rëndësinë e „Verës së Ohrit“ ministri Ismaili nënvizoi se ky festival luan rol të madh edhe për afirmimin e kulturës së Maqedonisë në botë dhe për perspektivat evropiane të vendit, dhe shtoi: „Më lejoni edhe një herë të shpreh besimin dhe përkushtimin tim të thellë për t’u kujdesur dhe për t’i realizuar prioritetet evropiane të cilat janë të rëndësishme për kontekstin kulturor të vendit. Mes tyre është sigurisht njëra nga ikonat më bashkëkohore evropiane të Maqedonisë së Veriut – Vera e Ohrit, që me dinjitet dhe fuqishëm lufton me sfidat bashkëkohore duke e mbajtur hapin e autoritetit të vërtetë bashkëkohor në kulturën e vendit“.

Festivalin e shpalli të hapur organizatori, Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski. Ai foli për artin si për atdheun në të cilin ka vend për secilin – edhe për të prekurit, edhe për të përjashtuarit, edhe për të privuarit. „Këtë atdhe e ndërtojnë njerëzit të cilët besojnë në fuqinë e së bukurës, të bashkojë në vend që të ndajë“, tha Pendarovski.

Presidenti vuri në dukje se ne si shtet do të bëjmë çdo gjë që është në fuqinë tonë për ta ruajtur statusin e Ohrit si qytet i UNESKO-s, dhe shtoi: „Të krijojmë hapësirë për të tjerët në vetveten tonë dhe të synojmë në pajtimin e vërtetë civil nëpërmjet drejtësisë dhe faljes. Duke ndërtuar një shoqëri për të gjithë, të përkujtohemi se ne i takojmë njëri-tjetrit dhe bashkërisht jemi pjesë e hapësirës së gjerë civilizuese dhe kulturore evropiane.“

Porosinë artistike tradicionale sivjet e ndau regjisori i shquar maqedonas me famë evropiane, Aleksandar Popovski, i cili është përzgjedhës i programit dramatik të festivalit. Fjalimi emocionues i Popovskit ishte një letër që ia dërgoi dramaturgut të shquar maqedonas që vdiq paradokohe, Goran Stefanovski. Ai citoi pjesë të “Shpirtrat me tatu” dhe “Fluturimi në vend“, dhe mes tjerash theksoi: „Ekzistojnë bota dhe njerëz që nuk janë ato për çka mediet njoftojnë. Që këto bota të mbesin të regjistruara duhet ta festojmë artistin, ta ruajmë kur do të bjerë, të kujdesemi mos të jetë i rehatshëm, mirëpo mos ta detyrojmë të bëhet yll estrade që të mund t’u përgjigjet parametrave ekonomikë të kësaj kohe. Arti ka rregulla që nuk janë pjesë e tabelave eksel. Artin nuk guxojmë ta porosisim sikurse këngën në kafene. Duhet t’ia japim gjithë hapësirën që i nevojitet që të mund vetvetiu të tregojë se çka ndien. Dhe atëherë do të mundemi të shihemi dhe të njihemi. Dhe atëherë do të mbesim të regjistruar në kohë“.
„Vera e Ohrit“ u hap me koncertin spektakolar të yllit britanik, violinistja Vanesa Mej, me Filarmoninë e Maqedonisë dhe me artistët e Operës dhe Baletit Nacional.

Në festivalin që zgjat tradicionalisht deri më 20 gusht do të interpretojnë muzikantët e shquar nga Italia, Austria, Rusia, Bullgaria, Gjermania, Çekia, Sllovenia, Shqipëria, Norvegjia, Kroacia, Franca, Serbia, Kosova, Finlanda, ndërsa në pjesën e dramës, e cila do të ketë një vështrim të veçantë për krijimtarinë e Goran Stefanovski, do të ketë produksione nga Sllovenia, Kroacia, Kazakistani, Turqia, Portugalia, Serbia, si dhe shfaqje vendore.