Schoolture TV

Dritare kulturore për të rinjtë

Prizreni ka organizuar Panairin e Veshjeve Tradicionale

Në Prizren sot është hapur Panairi i Veshjeve Tradicionale, organizim ky i Komunës së Prizrenit. Aty u ekspozuan veshje e gjëra tradicionale nga kultura të ndryshme. Përveç panairit, aty u mbajt edhe një manifestim kulturo-artistik dhe u realizua ecja në qytet me veshje tradicionale.

Qyteti i Prizrenit i cili çdo fundjavë pret vizitorë nga vende të ndryshme, brenda dhe jashtë Kosovës, të shtunën ishte edhe më i mbushur.

Aty u vendosen tendat në të cilat u ekspozuan veshje dhe gjëra të tjera tradicionale.

Në qytetin e multietnicitetit, u shfaqën veshje të kulturës shqiptare, boshnjake, turke, rome e të tjera.

Për panairin u tha se është një mundësi e mirë që të ekspozohen punimet e dorës të cilat krijohen me shumë përkushtim, në masë të madhe nga gratë.

Artan Abrashi, kryesues i Kuvendit Komunal në Prizren, në ceremoninë e hapjes së panairit, tha se trashëgimia e të gjitha etnive në Kosovë është shumë e pasur.

“Ky është një organizim tradicional i cili tashmë mbahet dhe synimi i saj është ekspozimi i vlerave tona trashëgimisë kulturore që në këtë rast ka të bëjë edhe me veshjet tona nga folklori. Siç e dini trashëgimia jonë kulturore, jo vetëm ajo e kombit tonë shqiptar, por edhe komuniteteve të tjera është mjaft e pasur dhe kjo është pasuria që na veçon edhe prej vendeve të tjera dhe padyshim që Komuna e Prizrenit ka vlerën e saj dhe krenarinë që atë ta prezantojë para të gjithëve”, tha ai.

Ai tha që shpreson që i njëjti të vazhdojë, e të pasurohet më shumë në vitet e ardhshme.

Zejxhan Celina, e cila organizoi pjesëmarrjen e grave në këtë panair, tha se tashmë ky panair është tradicional në Prizren.

“I ndihmojmë të gjejnë vetën nëpër panaire, jemi urë-lidhëse edhe me qytete të tjera kur bëjnë panaire na ftojnë, e ne i ftojmë gratë që të shkojnë në vende tjera”, tha ajo.

Ajo tha që gratë tani nuk hezitojnë të dalin me prodhimet e tyre, për dallim për viteve më parë kur ka qenë më e vështirë të organizohen ngjarje të tilla.

“Përpara ka qenë pak më tabu temë, kur i thërrisnim gratë për panair thoshin nuk dal në panaire, nuk dal në pazarm por tash aq janë vetëdijesuar, e kanë parë që panairi nuk është pazar, është veç promovim i punës së tyre, i një kulture, sepse secila punë është një kulturë”, tregoi ajo.

Pranë veshjeve tradicionale shqiptare, po qëndrojnë edhe ato të komunitetit boshnjak.

Është Sadri Bajra ai i cili nëpër fshatra të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës, i mbledh këto veshje dhe i ekspozon pastaj për shitje.

“Pas luftës kam qenë në 28 ekspozita, veshje kombëtare kosovare, në Bullgari, Turqi, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë, Gjermani, Zvicër, disa herë në Novi Pazar…me gjet këso veshje, me ble në fshtra, të vjetra para 100 vjetësh….Këtu ka veshje shqiptare, rome, shumë etnike në Kosovë”, tha ai.

Për të vizituar Panairin e Veshjeve Tradicionale kishin ardhur edhe shqiptar nga shtetet fqinjë.

Hivzi Aliriza, banor i Tetovës, tha se ndjehet shumë mirë që po e sheh nga afër një organizim të tillë.

“Super, po më kënaqet shpirti…Ne jemi vëllezër, se na kanë ndarë na kanë ndarë, nuk ke çka bënë, por prapë jemi vëllezër, prapë do të luftojmë bashkë”, tha ai.

Panairi i Veshjeve Tradicionale që u hap sot në orën 10 në sheshin “Shatërvan” në Prizren, u organizua nga Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në këtë komunë.

Burimi: http://kosova.info