Prishtinë, promovohet krijimtaria shqiptare në diasporë

Nën organizimin e Ministrisë së Diasporës së Kosovës në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë është mbajtur ngjarja e përvitshme “Takime letrare me krijues dhe shkrimtarë nga diaspora dhe Kosova”, raporton Anadolu Agency (AA).

Aktiviteti që ka për qëllim promovimin e krijimtarisë shqiptare në diasporë ka mbledhur në Bibliotekën “Pjetër Bogdani” qindra mysafirë, ndër ta shkrimtarë nga diaspora kosovare dhe shkrimtarë vendorë.

Këshilltari i ministrit të Diasporës, Muhamed Selmani, tha se Ministria e Diasporës e organizon dhe e mbështetë këtë aktivitet me kënaqësi. Ai tregoi arsyet se pse ky aktivitet është i veçantë.

“Këtu mblidhemi për të bashkëbiseduar dhe shpalosur krijimet e bashkatdhetarëve tanë të cilët edhe pse larg mëmëdheut, krijojnë, fuqizojnë dhe lartësojnë kulturën, traditat dhe zakonet tona përmes shkrimeve dhe librave të tyre duke i shpalosur mbarë botës këto tradita shekullore”, tha Selmani, duke inkurajuar shkrimtarët të punojnë edhe më shumë.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve në mërgatë, Hasan Qyqalla, tha se ndjehet i lumtur që shkrimtarët e mërgatës takohen me vëllezërit kosovarë, por tha se është emocion i veçantë që ky takim ndodh në vendlindje.

Pas fjalimeve hapëse të kësaj ngjarjeje, është bërë përurimi i disa librave nga autorë shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme, si në Zvicër, Gjermani, Suedi e Itali. Ndërsa në mbrëmje, ky grup shkrimtarësh do të udhëtojë për në Podujevë ku do ta mbajnë një orë letrare me karakter garues.