Ministri Ismaili takim zyrtar me ambasadorin francez

Ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, sot në kabinetin e tij realizoi takim me ambasadorin e Republikës së Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kristian Timonie. Në takim, ministri Ismaili e falënderoi ambasadorin francez për mbështetjen që Republika e Francës ia jep Republikës së Maqedonisë së Veriut në proceset integruese për t’i realizuar qëllimet strategjike, që janë anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën e NATO-s. Ministri Ismaili dhe Timonie u shprehën të kënaqur nga bashkëpunimi i suksesshëm që kanë pasur deri më tani në pjesën e kulturës ndërmjet të dyja vendeve, që konfirmohet edhe me realizimin e një numri të madh projektesh, të cilat janë zbatuar në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në vendin tonë dhe me Institutin Francez. Në mesin e tyre u veçuan Festivali i Filmit Francez në Ohër, pastaj projektet e përbashkëta në fushën e letërsisë, teatrit, vallëzimit, veçanërisht ishte potencuar bashkëpunimi ndërmjet të dyja vendeve në fushën e trashëgimisë kulturore. Ministri i Kulturës theksoi se me rëndësi esenciale është edhe bashkëpunimi institucional që ishte konfirmuar nëpërmjet të qenit mysafir të artistëve të shquar në të dyja vendet, ndërsa në disa veprimtari kjo ishte thelluar edhe me realizimin e një numri të madh projektesh të bashkëproduksionit. Mjaft me rëndësi është edhe prania e artistëve të Francës në festivalet në vendin tonë në fushën e arteve dramatike, muzikore ose të filmit. Në takim, ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, dhe ambasadori francez, Kristian Timonie, konstatuan bashkërisht se aktivitetet për ta thelluar bashkëpunimin kulturor ndërmjet Francës dhe Maqedonisë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.