Mblidhen albanologët në Prishtinë, nis Seminari i Gjuhës, Letërsisë e Kulturës Shqiptare

Me një ceremoni solemne sot nisi punimet Seminarit të 38-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi tha se seminari i sivjetmë, sikurse edhe 37 edicionet e kaluara, është edhe një hallkë tjetër në zinxhirin e një tradite albanologjike të nisur këtu e 45 vjet më parë.

“Edhe sivjet Seminari ka arritur të mbledh dashamirë të shumtë të gjuhës, të letërsisë, kulturës e historisë shqiptare nga shumë vende të botës, duke vazhduar kështu të jetë ngjarja më e rëndësishme kulturore e shkencore në hapësirat shqiptare. Këtë vit ka pasur dashamirë të shumtë të seminarit nga shtete të ndryshme të botës, si nga Rusia, Çekia, Serbia, Gjermania, Holanda, Italia, Bullgaria, Sllovenia, Turqia, Rumania, Letonia, Ukraina, Maqedonia, Suedia, Finlanda dhe Kroacia, të cilët kanë shprehur dëshirën dhe interesimin e tyre për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë”, tha Munishi.

Linditë Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë u shpreh se ky seminar për 45 vjet traditë, ka rritur të afirmojë gjuhën dhe kulturën shqipe.

“45 vjet më parë, pas organizmit të seminarit të parë ndërkombëtar të Albanologjisë në Prishtinë, Fakulteti i Fiziologjisë si organizator kryesor i këtij aktiviteti të madh shkencor dhe kulturor të albanologjisë do të vazhdoj të frymoj me produktin tij më cilësor dhe më me vlerë të dëshmuar ndërkombëtarisht. Sesionet shkencore, referimet, tryezat shkencore, ligjëratat e veçanta dhe kurset gjuhës shqipe, janë shtyllat themelore që ne e konsiderojmë si pjesë të programit të Seminarit”, tha Rugova.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Mynir Koni, i cili ndihet i kënaqur që Universiteti i Tiranës bashkëpunon në mënyrë të vazhdueshme në realizimin e këtij seminari, duke kontribuar në aktivitetet e ndryshme.

“Është kjo periudhë kohore 45 vjeçare ku elita e studiuesve të kulturës së gjuhës shqipe kanë bërë të mundur ta mbajnë gjallë dhe të komunikojnë fuqishëm në studimin e kulturës tonë shqiptare, duke bërë më të ndjeshme problematikat shqiptare. Pra, duke ndërkombëtarizuar atë, në aspekte të ndryshme”, tha Koni.

Po ashtu, edhe nënkryetari i Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovë, Jusuf Bajraktari në hapje të seminarit mbajti një fjalë raste para të pranishmëve.

Seminari do t’i zhvillojë punimet nga 19 deri më 30 gusht, ndërsa temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore (29 – 30 gusht 2019) janë:

1. Gjuhësi: Struktura e shqipes aktuale

2. Letërsi: Si ëndërrohet në letërsinë shqipe

3. Kulturologji: Rrjetet sociale, politika dhe etika

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: FakultetiFilozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e shtatë sesione. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./ ObserverKult