Koncert i divës së Operës Inva Mula dhe sopranos Dëshira Ahmeti-Kërliu në Dibër

Dibranët mbrëmë si rrallëherë kishin mundësi të shkëlqyer që ta ndjekin paraqitjen e dy sopranove të njohura. Para tyre me shumë melodi, si dhe këngë të përpunuara shqipe, u paraqitën diva e njohur e Operës, sopranoja Inva Mula dhe kolegia e saj sopranoja Dëshira Ahmeti -Kërliu, si dhe virtuozi në violinë Olen Cezari. Ishin të shoqëruar nga orkestra e Akademisë së Arteve nga Tirana, nën dirigjimin e Isak Shehut. Koncerti u mbajt në qendër të qytetit, në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa publiku i shumtë i shpërbleu me duartrokitje të madhe. Veçanërisht emocionuese ishte paraqitja e Dëshira Ahmeti-Kërliut, e cila është lindur dhe rritur në Dibër, ndërsa tani jeton në SHBA. Dy divat e Operës paraprakisht kishin takim të përzemërt me kryetarin e Dibrës, Hekuran Duka.

“Bashkëpunimi me njerëz të cilët e duan Dibrën, sjellë rezultate të pritshme pozitive. Bashkë për një Dibër të cilën e dëshirojnë të gjithë”, shkroi Duka në Fejsbuk, duke publikuar edhe një fotografi nga takimi. Ndryshe, Mula dhe Ahmeti-Kërliu bashkë me tenorin Gjorgji Cuckovski interpretuan në “Verën e Ohrit”. Kjo, si edhe “maratona muzikore” e mbajtur paraprakisht janë realizuar me ndihmën e shoqatës atdhetare “Dibra” e dibranëve në SHBA. /MIA/